Gratë dhe fëmijët në programet e kryebashkiakeve të ardhshëm

Më 2 qershor, Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare organizoi forumin e kandidatëve për kryetar bashkie në Fier, Armando Subashi dhe Enkelejd Alibeaj, në të cilin ata paraqitën programet dhe prioritetet specifike për çështjet e grave dhe fëmijëve. Forumi është njëri prej serisë së forumeve të organizuara nga YWCA of Albania në të gjithë Shqipërinë, si pjesë e projektit të mbështetur nga Komisioni për Demokraci i Ambasadës së SHBA. Në këtë forum mori pjesë edhe Zëvendës Ambasadori i SHBA, Henry Jardine. Duke ju drejtuar forumit Zëvendës Ambasadori Jardine tha se “… ne besojmë se të gjithë votuesit në Shqipëri duhet të jenë të informuar në lidhje me kandidatët dhe pozicionet e tyre, si dhe për çështjet që me të vërtetë kanë rëndësi për ta. Politika lokale është, për shumicën e votuesve brenda dhe jashte Shqiperise, politika që ka rëndësi më të madhe, dhe ne e dimë se shqiptarët do të marrin seriozisht në konsideratë çështjet vendore përpara se të hedhin votën e tyre. ” Përfaqësuesit e dy forcave të ndryshme politike u ftuan për të parashtruar, por edhe për të ballafaquar e debatuar, angazhimet programore të tyre lidhur me çështjet e gruas dhe të fuqizimit të saj në aspekte të ndryshme, arsimimin e fëmijëve etj., nëpërmjet pyetjeve që u hartuan nga përfaqësues të shoqërisë civile të Fierit. “Është e vërtetë dhe statistikat janë aty. Sot, për fat të keq, në qytetin e Fierit kemi vetëm dy çerdhe, ndërsa nëpër komuna nuk bëhet fjalë, ashtu sikundër kemi një numër të kufizuar kopshtesh, pavarësisht se kemi një numër të konsiderueshëm kopshtesh private. Padyshim që nesër, në radhë të parë, Bashkia duhet të investojë vetë në këtë drejtim”, është shprehur Armando Subashi, kandidati i së majtës për Bashkinë e Fierit. “Të gjitha ambientet e saj pronë private, të cilat janë të shumta, do t’i vendosim në dispozicion me kosto zero për të ngritur infrastrukturën e kopshteve publike, dhe kjo është pjesë e programit tonë ekonomik. Mundësia e tretë është ajo e dhënies së incentivave për nismat private”, deklaroi Enkelejd Alibeaj, kandidat i opozitës për Bashkinë e Fierit.