Na Ndiqni:

Orientimet strategjike

Home Orientimet strategjike

Orientimet strategjike

Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA of Albania), që prej vitit 2008, e zhvillon veprimtarinë e saj në bazë të një plani strategjik pesëvjeçar të emërtuar Lëvizja për fuqizim. Në të gjenden të përcaktuara qartë vizioni i organizatës, misioni i saj, vlerat mbi të cilat ajo mbështetet, qëllimet dhe fushat përparësore të veprimit.

Vizioni
Vizioni i Shoqatës është ai i një lëvizjeje me pjesëmarrjen aktive dhe udhëheqjen e grave e të vajzave, përmes së cilës sigurohet një shoqëri, ku mbizotëron paqja, drejtësia, liria, dinjiteti njerëzor, shëndeti dhe kujdesi për mjedisin.

Misioni
Shoqata ka për mision të kontribuojë për zhvillimin e potencialeve dhe fuqizimin e grave e të vajzave, si dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi jetike për mbarë shoqërinë (shëndeti, të drejtat, liritë etj.).

Vlerat

  • Parimet dhe veprimet ku anëtaret e Shoqatës besojnë e mbështeten, janë:
  • Respekti ndaj vetes dhe të tjerëve
  • Solidariteti dhe përkrahja
  • Vullnetarizmi
  • Pranimi i të ndryshmes, toleranca dhe gjithëpërfshirje
  • Kundërvënia ndaj çdo forme përjashtimi e diskriminimi
  • Ndershmëria, besimi dhe hapja në marrëdhënie me të tjerët
  • Vetëvendosja në gjithçka që na përket
  • Edukimi dhe nxitja e përgjegjësive
  • E drejta që çdo individ të zhvillojë potencialet e veta
    etj.

Qëllimet

Misioni i Shoqatës përmbushet duke përcaktuar qëllime dhe objektiva konkrete, në kuadrin e të cilave realizohen më pas projektet dhe programet tona. Shoqata synon:

  • T’i fuqizojë gratë e vajzat nga pikëpamja sociale dhe kulturore përmes informimit dhe edukimit mbi çështje me interes të drejtëpërdrejtë për to
  • Të rrisë mundësitë e punësimit për gra e vajza, veçanërisht për ato të zonave suburbane, të pakicave etnike (romë, ballkano-egjiptianë etj.) si dhe kategori të tjera në nevojë duke ofruar trajnime për formim profesional
  • T’i punësojë gratë e vajzat, veçanërisht kategoritë e mësipërme, me qëllim që t’i fuqizojë ekonomikisht si dhe të ndikojë në zbutjen e varfërisë.
  • Të zgjerojë e të përsosë shërbimet për gratë, fëmijët, të rinjtë si dhe personat e moshës së tretë
  • Të rrisë e të forcojë kapacitetet e organizatës, me qëllim që t’i përmbushë sa më mirë qëllimet dhe objektivat e vëna.

Fushat përparësore

  • Shëndeti i grave, vajzave, fëmijëve e të rinjve
  • Të drejtat e njeriut (gratë, vajzat dhe fëmijët)
  • Edukim
  • Formim profesional
  • Punësim për gra dhe vajza
  • Shërbime për gratë dhe fëmijët