“Shkolla ime është një vend i sigurtë“, është projekti që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nisma bazohet në aplikimin e ndërhyrjeve mbështetëse për sjelljet pozitive, me qëllim zëvendësimin dhe eleminimin e teknikave të ndëshkimit negativ.Implementimi që synohet të realizohet bazohet në parimin se të gjithë nxënësit mund të mësojnë sjellje të përshtatshme dhe të pranueshme socialisht. Të mësuarit e sjelljeve shoqërore pozitive sjell krijimin e një klime pozitive në shkollë dhe klasë, nxit nxënësit më shumë drejt procesit të të mësuarit, si dhe rrit ndjenjat e tyre të besimit dhe sigurisë kundrejt institucionit.
Të orientuarit drejt sjelljeve pozitive iu mundëson fëmijëve që të kenë alternativa më të mira të sjelljeve që janë të pranueshme nga të tjerët dhe nuk i dëmtojnë as ata. Gjithashtu, krijimi i strategjive të sjelljeve pozitive ndërton një sistem ku të nxënit është më i lehtë dhe inkurajues. Prezantimi i sjelljeve pozitive i vetëdijëson të gjithë nxënësit me çfarë është e pranueshme dhe çfarë nuk është e pranueshme, si dhe çfarë është e pritshme dhe çfarë nuk është e pritshme .
Për kete arsye, në qytetin e Tiranës, Korçës, Lezhës dhe Beratit, YWCA zhvilloi trajnime dy ditore me përfaqësues të qeverisë së nxënësve në secilën prej shkollave te përzgjedhura. Qëllimi kryesor i trajnimeve ishte njohja e qeverisë së nxënësve me rëndësinë e angazhimit të sjelljeve pozitive. Qeveria e nxënësve, si një strukturë e rëndësishme në çështjet e shkollës, do të shërbejë për mentorimin e gjithë shkollës drejt orientimit për shfaqjen e sjelljeve të përshtatshme pozitive.
Trajnimi u zhvillua në formën e ndërthurjeve mes koncepteve teorike dhe aktiviteteve praktike. Prezantimi i nxënësve u zhvillua në forma kreative,në mënyrë që të shmangej idea e një ore formale mësimore dhe të rritej atmosfera pozitive në grup.Trajnimet u karakterizuan nga veprimtari të shumta, si vizatimi i shkollës dhe identifikimi i vendeve të sigurta, neutrale dhe të pasigurta;krijimi i strategjive për krijimin e ambienteve të sigurta fizikisht dhe psikologjikisht;njohjen me programin e ndërhyrjeve pozitive, aktivitete në lidhje me qeverinë e nxënësve dhe diskutime aktive për sjelljet e aktorëve të ndryshëm në insitucionin mësimor. Nxënësit u njohën edhe me mënyrën e re të hartimit të rregullave bazuar në filozofinë e 3-ive: I sigurtë, I përgjegjshëm dhe I respektueshëm
Në fund të trajnimit dy ditor, nxënësit i vlerësuan pozitivisht sesionet dy ditore dhe treguan angazhimin për bashkëpunimin e mëtejshëm. Ata shprehën se krijimi i shkollave të sigurta dhe pozitive është përfitim dhe ndihmë që të jenë më të suksesshëm