SHËNDETI I GJIRIT VARET NGA TY – NJË GJEST I THJESHTË TË SHPËTON JETËN!

Edhe këtë tetor, për të shtatin vit radhazi, YWCA of Albania në bashkëpunim me një numër partnerësh tradicionalë, si Zyra e Marrëdhënieve për Publikun të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë, Spitali Hygeia, Grupi Topmedia, Tirana Bank, Roche, Novartis, AK-Invest, Instituti i Shëndetit Publik, Bashkia e Tiranës, PeopleBar, AKOS, dhe Rauch/Ama Cafe zhvilloi fushatën për informimin dhe ndërgjegjësimin e grave e të vajzave për parandalimin e kancerit të gjirit. Këtë vit ajo u zhvillua nën moton SHËNDETI I GJIRIT VARET NGA TY – NJË GJEST I THJESHTË TË SHPËTON JETËN.

Fushata për informimin dhe ndërgjegjësimin e grave për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit u hap zyrtarisht në 16 tetor, 2015, ditën e premte, ora 11, në sheshin përpara Gardës së Republikës. Pjesëmarrësit ndërmoren ecjen simbolike, të bërë tradicionale tashmë, përgjatë segmentit të këmbësores nga Sheshi i Gardës deri te kryqëzimi i parë i Parkut të Liqenit. Përpara fillimit të ecjes vullnetaret e YWCA of Albania shpërndanë materiale informuese e promovuese për mënyrat e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, si fletëpalosje, broshura, fjongo rozë, çadra, bluza, etj. si simbol i luftës kundra kancerit të gjirit. Përveç materialeve që u shpërndane falas, kishte edhe materiale që u shiten kundrejt një çmimi simbolik, si, shalle, çanta, etj. me ngjyrën dhe simbolin e luftës kundër kancerit të gjirit. Këto do të kontribuojnë jo vetëm për mbledhjen e fondeve nga ana e YWCA of Albania për t’i përdorur ato më pas në dobi të grave e vajzave për informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre, por edhe për t’i dhënë veprimtarisë ngjyra të gëzuara e festive. Me mbërritjen e pjesëmarrësve te kryqëzimi i parë i Parkut të Liqenit dhe përfundimin e ecjes u dhane mesazhe të rëndësishme nga gra të mbijetuara prej luftës kundër kancerit të gjirit përmes historive te tyre personale.