Ka raste kur jeta e një të riu duket sikur ka ngecur në vend. Ditët kalojnë njëra pas tjetrës, pa plane të qarta, pa mundësi konkrete dhe pa besimin se e ardhmja mund të sjellë diçka më të mirë. Për shumë të rinj që gjenden jashtë arsimit, punësimit apo trajnimeve, kjo ndjesi bëhet pjesë e përditshmërisë. Ata etiketohen si NEET, por pas këtij termi fshihen histori personale të mbushura me sfida, pasiguri dhe ëndrra të heshtura.

Një nga këto histori është ajo e Redonit.

Kur e takuam për herë të parë, Redoni ishte vetëm 18 vjeç. Jetonte në një institucion rezidencial dhe, si shumë të rinj në situata të ngjashme, ndodhej në një moment delikat të jetës së tij. Nuk e kishte përfunduar shkollën e mesme, nuk ishte i regjistruar në ndonjë trajnim profesional dhe nuk kishte një mundësi konkrete për të hyrë në tregun e punës. E ardhmja e tij dukej e paqartë, pothuajse e pezulluar mes asaj që dëshironte dhe asaj që realisht mund të arrinte.

Në pamje të parë, ai ishte një djalë i heshtur, i rezervuar dhe i kujdesshëm në mënyrën si fliste. Nuk shprehte shumë, por në heshtjen e tij ndjehej pesha e pasigurisë që mbartin shumë të rinj kur nuk shohin një drejtim të qartë përpara. Kur je në atë moshë dhe nuk ke as shkollë, as punë, as një rrugë të hapur për zhvillim, është e lehtë të ndihesh sikur je mbetur pas, ndërsa bota vazhdon përpara pa ty.

Megjithatë, pas atij rezervimi, Redoni mbante brenda vetes diçka shumë të rëndësishme: një dëshirë të fortë për të ndërtuar një të ardhme ndryshe.

Gjatë bisedave të para me të, kuptuam se ai nuk ishte i painteresuar dhe as pa motivim. Përkundrazi, ai kishte menduar për të ardhmen e tij, kishte dëshira dhe kishte një ide shumë të qartë për atë që donte të bënte. Problemi nuk ishte mungesa e vullnetit. Problemi ishte mungesa e mundësive.

Shpesh, të rinjtë që qëndrojnë jashtë sistemit paragjykohen si dembelë, të painteresuar apo pa ambicie. Por realiteti është krejt ndryshe. Në shumë raste, ata kanë ëndrra po aq të forta sa bashkëmoshatarët e tyre, por nuk kanë pasur mbështetjen, orientimin apo mundësitë e nevojshme për t’i kthyer ato ëndrra në hapa konkretë. Kjo ishte pikërisht situata e Redonit.

Përmes ndërhyrjes së projektit, Redoni u identifikua gjatë aktiviteteve të outreach-it dhe u përfshi në një proces të strukturuar këshillimi dhe orientimi profesional, që çoi në hartimin e një plani individual referimi. Teksa bisedonim me të dhe mundoheshim të kuptonim më shumë rreth asaj që dëshironte për jetën e tij, ai foli për diçka që e motivonte vërtet: kuzhinën. Ai na tregoi se gjithmonë kishte pasur dëshirë të bëhej kuzhinier. Kur fliste për gatimin, toni i zërit i ndryshonte. Ishte hera e parë që ai fliste me siguri dhe me entuziazëm për diçka. Në ato momente, ishte e qartë se ai nuk kishte humbur shpresën; ai thjesht nuk dinte nga t’ia niste. Për të, kuzhina nuk ishte thjesht një zanat. Ishte një mundësi për të krijuar një profesion, për të fituar pavarësi ekonomike dhe për të ndërtuar një identitet të vetin. Ishte mënyra për të dalë nga pasiguria dhe për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme.

Pas identifikimit të dëshirës së tij për të ndjekur një profesion në kuzhinë, vijuam menjëherë të ndërmerrnim hapat e nevojshëm për ta ndihmuar. Procesi nuk ishte i menjëhershëm, por kërkonte bashkëpunim, koordinim dhe besim.

Hapi i radhës ishte bashkëpunimi me institucionin rezidencial ku Redoni jetonte. U zhvilluan takime me drejtuesit dhe stafin përgjegjës, për të diskutuar mundësitë konkrete që ai të përfshihej në një kurs profesional. Ishte e rëndësishme që të gjithë të kuptonin se ky nuk ishte thjesht regjistrimi i një të riu në një kurs, por një hap vendimtar për të ardhmen e tij. Pas kësaj, u vendos komunikimi me Zyrën e Formimit Profesional, për të gjetur një kurs të përshtatshëm për interesin dhe aspiratat e Redonit. U ndoqën procedurat përkatëse, u sigurua informacioni i nevojshëm dhe u bë orientimi i tij për hapat që do të ndiqeshin.

Për shumë njerëz, ky proces mund të duket rutinë: disa takime, disa procedura, një regjistrim. Por për një të ri që ka qenë për një kohë të gjatë jashtë çdo mundësie zhvillimi, këto hapa janë shumë më tepër sesa procedura administrative. Janë shenja konkrete që dikush po investon tek ai, që dikush po beson tek potenciali i tij dhe që ëndrra e tij mund të bëhet realitet.

Kur erdhi momenti i regjistrimit në kursin e kuzhinës, Redoni ishte i emocionuar. Për herë të parë pas një kohe të gjatë, ai po shihte një derë që hapej përpara tij. Ishte një moment i vogël në dukje, por me një domethënie të madhe: ishte fillimi i një rruge të re. Vetëm dy javë pasi nisi kursin, ndryshimi te Redoni ishte i dukshëm. Ai po e ndiqte kursin rregullisht, pa mungesa, me përpikmëri dhe me një dëshirë të madhe për të mësuar. Çdo ditë po mësonte teknika të reja, po zbulonte më shumë për profesionin që kishte zgjedhur dhe po fitonte gradualisht besim tek vetja.

Nga një i ri që dikur e shihte të ardhmen si të paqartë, ai po shndërrohej në një të ri me objektiva konkrete. Ndryshimi nuk shihej vetëm në faktin që ai ndiqte kursin, por edhe në mënyrën si sillej, si fliste dhe si e perceptonte veten. Ai kishte filluar të besonte se mund të arrinte diçka. Kishte filluar ta shihte veten si dikush me aftësi, me potencial dhe me mundësi reale për të pasur sukses.

Dhe ky është transformimi më i madh. Sepse fuqizimi i një të riu nuk fillon vetëm me një kurs apo me një mundësi punësimi. Fillon në momentin kur ai rifiton besimin se mund ta ndërtojë vetë të ardhmen e tij.

Historia e Redonit është një dëshmi e fuqishme se shumë të rinj që konsiderohen “jashtë sistemit” nuk janë pa potencial. Ata thjesht janë pa mbështetje. Shpesh, gjithçka që u nevojitet është dikush që t’i dëgjojë, t’i kuptojë dhe t’i ndihmojë të hedhin hapin e parë.

Sot, Redoni nuk është më pjesë e statistikave të të rinjve NEET. Ai është një i ri që ka nisur të ndërtojë një profesion, të zhvillojë aftësi dhe të projektojë një të ardhme më të sigurt për veten. Rrugëtimi i tij sapo ka filluar, por hapi më i vështirë tashmë është bërë: ai ka dalë nga pasiguria dhe ka hyrë në rrugën e mundësive.

Kjo histori ilustron se si ndërhyrjet e bazuara në partneritete lokale dhe qasje të personalizuara mund të riaktivizojnë të rinjtë NEET dhe t’i integrojnë në mënyrë të qëndrueshme në sistemin e arsimit dhe tregun e punës.

 

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Qendra e Aktivizimit të NEET (JAPFP) – Fuqizimi i të Rinjve përmes Rrjetit të Partneriteteve Lokale në Shkodër” që zbatohet nga YWCA of Albania, në kuadër të projektit BE për Rininë (EU4Youth), financuar nga Bashkimi Evropian, dhe zbatuar nga PNUD dhe UNICEF në Shqipëri në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë, nën koordinimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.