Kur ne duam të marrim informacion rreth fëmijëve, në të shumtën e rasteve, për shkak të normave rixhide të trashëguara sociale dhe gjinore, ju drejtohemi nënave. Por në këtë histori, ne duam të theksojmë rëndësinë e rolit të babait në jetën e fëmijës, sidomos përgjatë viteve të para të zhvillimit.

Eamran, 5 vjeç është pjesë e Qendrës Ditore. Ai është fëmija i katërt i një familje të madhe me 5 vëllezër. Babai i Eamran tregon me detaje ndryshimin dhe zhvillimin pozitiv të djalit të tij, teksa janë zhvendosur në Shqipëri dhe ndihen të sigurtë,

“Ajo që kam vënë re është ndryshimi pozitiv i djalit tim. Ai shkon pranë Qendrës Ditore dhe unë kam kuptuar rendësinë e mjedisit tek ai.”

Babai nuk ngurron të ndajë detaje nga jeta e mëparshme e Eamran. Përtej fjalëve të tij, gjendet një mesazh drejtuar të gjithë prindërve për rëndësinë që duhet t`i kushtojnë ambientit që i rrethon fëmijët e tyre, ngjarjeve që ata përballojnë dhe simptomave që shfaqin.

“ Për shkak të situatave në Afganistan, unë jam lënduar disa herë. Kur djali më ka parë në atë gjendje është frikësuar shumë. Mund të them me shumë siguri që mirëqenia e tij u cënua. Eamran nuk kishte dëshirë të luante me shokët, por kërkonte të qendronte plotësisht vetëm. Fëmija im ndihej plotësisht i dëshpëruar dhe shpesh herë vepronte me agresivitet të lartë.”

Të gjendur në vështirësi, sikundër shumë familje të tjera në Afganistan, edhe familja e Eamran u zhvendos drej Shëngjit ne Lezhë. Babai i djalit tregon sesi ekipet mbështetëse u kujdesën për akomodimin e tyre dhe iu prezantuan shërbimet mbëshetëse.

“Sapo erdhëm në Shqipëri u interesova për qendrat që ofronin mundësi edukimi. Në këtë mënyrë u njoha me Qendrën Ditore të YWCA, ku regjistrova djalin. Qendrën Ditore e vlerësova jo vetëm për ambientin miqësor, plot ngjyra e buzëqeshje fëmijësh, por edhe për përkushtimin e stafit, si dhe nxitjen e prindërve për tu përfshirë aktivisht në edukimin e fëmijëve.”

Përpos vlerësimit për Qendrën Ditore dhe rëndësinë e bashkëpunimit, babai i Eamran ndan ndryshimet që ka vënë re tek djali i tij:

“Tashmë Eamran ndihet i lumtur. Ka shumë interes për të studiuar dhe ka krijuar miqësi me shumë shok dhe shoqe. I pëlqen piktura dhe gjuha angleze. I jam shumë mirënjohës të gjithë ekipit.”

Kur e pyetëm se cilat janë ëndrrat e Eamran, babi i tij e përmbyll kështu rrëfimin e tij:

“Më parë i pëlqente shumë piktura. Tani ka dëshirë që kur te rritet të bëhet një mësues i mirë dhe të mbështesë edukimin e të gjithë fëmijëve, kudo që të ndodhemi!”

 

Kjo histori është krijuar në kuadër të projektit “Qendrat Ditore si hapësira të sigurta dhe kreative”, implementuar nga UNICEF Albania me mbështetjen e qeverisë së SHBA dhe në partnership me YWCA of Albania