Kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri, me mendjen pas në Afganistan, ku kisha një pjesë të familjes, përpos mirënjohjes dhe falenderimit që kisha arritur të shpëtoja nga situatat e tmerrshme që po ndodhin aty, kryesisht tek unë mbizotëronin shumë emocione negative. Ndjesi se diçka nuk do shkonte mirë me jetën timë, frika për të sotmen dhe të nesërmen, ankthi për të afërmit që kisha larg dhe malli e keqardhja për vendin tim. Në ditët e para të vendosjes në Shëngjin pyesja veten pse…pse mua, pse ne? Mbi të gjitha si do të përshtatesha me jetën e re, cili do të ishte kontributi im në vazhdim, sa do të mund të jepja nga vetja?

Dukej sikur nuk kisha asnjë mundësi.  Por pikërisht atëherë kur humb plotësisht shpresat, jeta ndryshon faqe dhe të ofron më shumë seç ti e imagjinoje. Ky rast është tipik për mua. E ndodhur mes dilemash dhe konfuziteti se me çfarë një vajzë e re në kushtet e mia mund të angazhohet, lexova një njoftim që më mbushi me shpresë. Kështu pranë resortit tonë do të hapej një Qendër Ditore që do të ofronte shërbime për fëmijët e moshës shkollore. Nxitova të aplikoja dhe kalova në fazën e intervistës. Eksperienca ime e mëparshme me fëmijët në Afganistan më jepte më shumë besim se kjo mund të ishte mundësia ime. Dhe kështu ndodhi. Në një ditë plot diell mora konfirmimin se isha përzgjedhur për të punuar me ekipin e YWCA of Albania.

Emocionet negative ia lanë vendin grimcave të gëzimit dhe lumturisë. Ditët e para pranë Qendrës Ditore ishin një mozaik ndjesish. Takova shumë prindër që mezi e kishin pritur një mundësi të tillë. Për ta edukimi i fëmijëve të tyre kishte një rëndësi të jashtëzakonshme. Vura re se tek të gjithë prindërit kishte një nevojë për t`iu rikthyer normalitetit dhe për t`iu përshtatur kushteve të reja. Dhe ishte detyra ime, së bashku me pjesën tjetër të stafit të YWCA ta përmbushnim këtë pritshmëri.

Padyshim momentet më të bukura dhe sfiduese kanë qenë përgjatë punës me fëmijët. Fëmijë plot gjallëri, fëmijë që qëndronin në një cep të dhomës, fëmijë që më qëndronin afër, por edhe fëmijë që nuk ndaheshin dot nga prindërit e tyre. Ishin të gjithë aty, me ne. Të gjithë sillin përvojat nga Afganistani, që i mbivendoseshin edhe përvojës sime. Emocionet e tyre ishin emocionet e mia…unë arritja të kuptoja atë që ata thonin me fjalë apo zgjidhin të fshihnin në heshtje…

Gjatë punës sime në Qendrën Ditore shumë gjëra ndryshuan tek unë. Fillova të jetoja momentet e vogla dhe kënaqësinë që të jep e tashmja. U përpoqa të përshtatesha me një kulturë që është ndryshe nga e imja, po ku u ndjeva e pranuar dhe e lirë të shfaq traditat e mia. Gjatë punës me fëmijët kuptova rëndësinë e mbështetjes që duhet t`iu japim atyre, krijimit të vendeve të sigurta për ta, edhe kur bota jashtë është në kaos.

Ditë pas dite, pa e kuptuar as vetë kisha kuptuar se një nga misionet e mia ishte tashmë lufta për edukimin e fëmijëve. Sa shumë gjëra mund të ndryshojnë nëse ne do kemi mundësi të barabarta për shkollim? Padyshim shumë! Në çdo moment pranë Qendrës Ditore të YWCA ne i trajtonim fëmijët në mënyrë të barabartë, pavarësisht gjinisë, statusit apo prejardhjes. Ofrimi i edukimit cilësor nëpërmjet qasjes joformale nxiti tek unë kreativitetin, dëshirën për të mësuar gjëra të reja, për të qenë inovative e sa më bashkëpunuese. Kam ndërmarrë një udhëtim drejt rritjes personale dhe profesionale. Tashmë për mua është e rëndësishme të shpreh veten, të angazhohem në kauza jetike dhe të jap kontribut të vazhdueshëm.

Së fundmi, mesazhi më i madh që kam marrë është rëndësia e mirënjohjes… mirënjohje për mundësitë e reja, që të ndihmojnë të rikrijosh dhe të rimëkëmbësh sërisht veten!

 

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projekti “Qendrat e Fëmijërisë së Hershme si hapësira kreative dhe të sigurta”, zbatuar nga YWCA of Albania, me mbështetjen e UNICEF dhe në bashkëpunim me USAID. Kjo është historia e M.Z, mësuese pranë Qendrës Ditore të YWCA of Albania.