Për shumë të rinj, fundi i klasës së nëntë sjell një pyetje që dëgjohet shpesh në familje dhe shoqëri: «Çfarë do të bësh më tej?» Disa e kanë zgjedhur tashmë shkollën ose profesionin që duan të ndjekin. Të tjerëve u duhet kohë për të kuptuar çfarë u pëlqen dhe mbështetje për të gjetur një mundësi që u përshtatet. Për një vajzë që përballet me paragjykime dhe ka pak mundësi të kalojë kohë me bashkëmoshataret, ky vendim mund të jetë veçanërisht i vështirë. Ndonjëherë, biseda për të ardhmen bëhet më e lehtë kur fillon me diçka më të thjeshtë: çfarë do të kishe dëshirë të mësoje?
Në takimin e parë me stafin e YWCA-së në Shkodër, Fiona ishte e rezervuar. Fliste me zë të ulët dhe i duhej kohë të shprehte atë që dëshironte të bënte pas përfundimit të shkollës nëntëvjeçare. Kur erdhi fjala te gjërat që i pëlqenin, ajo përmendi kompjuterin dhe telefonin. Në atë kohë, Fiona ende nuk e dinte se ku mund ta zhvillonte këtë interes. Sot, në moshën 16-vjeçare, ajo ndjek një kurs profesional për aftësi digjitale në Shkodër. Aty po mëson të përdorë programe kompjuterike, merr pjesë aktivisht gjatë orëve dhe ka njohur vajza që tashmë i ka shoqe.
Pas përfundimit të klasës së nëntë, Fiona nuk e kishte vazhduar shkollën dhe nuk ishte përfshirë në ndonjë kurs apo aktivitet formues. Deri atëherë, shkolla kishte qenë vendi ku takohej çdo ditë me bashkëmoshatarët. Edhe kur e kishte të vështirë të niste një bisedë, orët e mësimit dhe koha e kaluar së bashku i jepnin mundësi të ishte pjesë e një grupi. Me mbarimin e shkollës, kjo pjesë e përditshmërisë së saj ndryshoi. Fiona e kalonte pjesën më të madhe të kohës në shtëpi, pranë familjes, ndërsa rastet për të takuar vajza të moshës së saj apo për të krijuar njohje të reja u bënë më të rralla.
Fiona i përket komunitetit egjiptian. Paragjykimet që kishte ndeshur si vajzë nga ky komunitet ndërthureshin me pengesat që haste për shkak të aftësisë së kufizuar. Këto përvoja kishin ndikuar në besimin që kishte te vetja dhe në mënyrën se si ndihej mes njerëzve që nuk i njihte. Pranë familjes ndihej e sigurt. Të hynte në një mjedis të panjohur, të zinte vend mes bashkëmoshatareve dhe të fliste për diçka që i interesonte kërkonte guxim, veçanërisht pas kohës që kishte kaluar larg shkollës.
Qendra Komunitare Nr. 4 në Shkodër e lidhi Fionën me projektin “Qendra e Aktivizimit të NEET (JAPFP) – Fuqizimi i të Rinjve përmes Rrjetit të Partneriteteve Lokale në Shkodër”. Përmes punës së përditshme me familjet e komunitetit egjiptian në zonë, punonjësit e qendrës kuptuan se, pas klasës së nëntë, Fiona kishte mbetur jashtë arsimit dhe formimit profesional. Ata e referuan te ekipi i projektit, duke krijuar kështu mundësinë që takimet e para të zhvilloheshin pranë familjes, në një mjedis të njohur për të. Për Fionën, kjo kishte rëndësi. Ajo mund të fliste për atë që i pëlqente përpara se t’i duhej të vendoste nëse ishte gati të provonte diçka të re.
Gjatë vizitave në familje dhe takimeve informuese në komunitet, stafi i YWCA-së pati mundësi të njihte më mirë Fionën dhe të kuptonte si i kalonte ditët pas përfundimit të shkollës. Fakti që kishte mbetur jashtë arsimit tregonte se kishte nevojë për mbështetje, por thoshte pak për drejtimin që do të donte të merrte. Këtë e sqaroi vetë Fiona në takimin e parë vlerësues. Kur përmendi kompjuterin dhe telefonin, ajo i dha ekipit një pikënisje konkrete për të kërkuar një mundësi formimi që lidhej me interesat e saj.
Një kurs për aftësi digjitale i përshtatej pikërisht për këtë arsye. Fiona mund ta fillonte nga diçka për të cilën ishte tashmë kureshtare dhe të zbulonte gradualisht çfarë mund të bënte vetë me një kompjuter. Në këtë mënyrë, rikthimi te të mësuarit merrte një kuptim të qartë për të. Kursi do t’i jepte edhe një arsye për të dalë nga shtëpia e për të kaluar kohë me vajza të tjera. Në takimin e parë me to, do të kishin që në fillim diçka të përbashkët: të gjitha po mësonin të përdornin kompjuterin.
Për ta hedhur këtë hap, mbështetja e prindërve kishte peshë të veçantë. Gjatë disa takimeve këshilluese, stafi i YWCA-së foli me ta për interesin që kishte shprehur vajza e tyre dhe për atë që mund t’i sillte kursi në përditshmëri. Biseda për të ardhmen e Fionës u bë kështu më konkrete. Familja mund të përfytyronte vendin ku ajo do të kalonte një pjesë të ditës, çfarë do të mësonte dhe mundësinë për të krijuar shoqëri përtej rrethit që njihte. Në qendër të këtyre bisedave mbeti zgjedhja e Fionës. Pas takimeve, prindërit dhanë miratimin dhe e mbështetën vajzën e tyre për të ndjekur kursin.
Me mbështetjen e ekipit të YWCA-së në Shkodër, Fiona u regjistrua në skemën e Garancisë Rinore dhe më pas në kursin profesional për aftësi digjitale. Ekipi i kushtoi vëmendje edhe grupit ku do të mësonte. Fiona u bë pjesë e një grupi ku vajza nga komuniteti egjiptian dhe bashkëmoshatare nga komunitete të tjera ndiqnin së bashku të njëjtat orë. Për një vajzë që prej kohësh kishte pasur pak raste të krijonte njohje jashtë familjes, vetë vazhdimësia e këtyre takimeve kishte vlerë. Ajo mund t’i njihte bashkëmoshataret pak nga pak, gjatë kohës që kalonin së bashku në kurs.
Sot, një nga ndryshimet më të dukshme është mënyra se si Fiona merr pjesë gjatë orëve. Në takimin e parë i duhej kohë për të thënë edhe çfarë i pëlqente. Tani angazhohet aktivisht në një grup ku ndihet e barabartë dhe e vlerësuar. Ka fituar aftësi në përdorimin e kompjuterit dhe të programeve bazë. Pas një periudhe larg shkollës, përparimi në kurs i ka dhënë mundësinë ta shohë vetë se është e aftë të mësojë gjëra të reja. Sa herë mendon për atë që mund të bëjë më tej, Fiona ka tashmë një përvojë të vetën ku të mbështetet.
Një ndryshim po aq i rëndësishëm lidhet me shoqet që ka bërë. Vajzat që dikur do ta kishte pasur të vështirë t’i takonte në përditshmërinë e saj, sot janë pjesë e një grupi ku Fiona ndihet mirë. Ato ndajnë orët e kursit dhe interesin për atë që po mësojnë. Me kalimin e kohës, disa prej njohjeve të para janë kthyer në miqësi. Për Fionën, që pas klasës së nëntë e kalonte pjesën më të madhe të ditës brenda rrethit familjar, kjo do të thotë të kesh një vend ku shkon për të mësuar dhe ku të presin fytyra të njohura.
Historia e Fionës tregon vlerën e mbështetjes pikërisht në periudhën kur një e re ka përfunduar shkollën dhe ende nuk e ka gjetur hapin e radhës. Qendra komunitare e njohu nevojën në kohë, ekipi i YWCA-së e informoi Fionën dhe prindërit e mbështetën në zgjedhjen e saj. Sot, kur mendon për një profesion në të ardhmen, Fiona ka nga t’ia nisë. Ka zbuluar një fushë që dëshiron ta njohë më mirë dhe, mes vajzave me të cilat mëson, ka gjetur një vend të sajin.
Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Qendra e Aktivizimit të NEET (JAPFP) – Fuqizimi i të Rinjve përmes Rrjetit të Partneriteteve Lokale në Shkodër” që zbatohet nga YWCA of Albania, në kuadër të projektit BE për Rininë (EU4Youth), financuar nga Bashkimi Evropian, dhe zbatuar nga PNUD dhe UNICEF në Shqipëri në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë, nën koordinimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.
