Nga Iva Tiço/ Zyrat e administratorëve të ndihmës sociale janë pak a shumë si rrëfyestoret e priftërinjve: brenda tyre dëgjohen kaq shumë lutje e kërkesa, shpresa dhe ankesa, falënderime apo zhgënjime… Por ajo që Yllka Brahimllari, Administratore në Lezhë nuk e kishte menduar ndonjëherë, ishte që do të vinte dita që do t`i duhej të merrej edhe me shëndetësinë.

Por ja që Covid 19 që ndryshoi gjithë botën, nuk e la pa prekur edhe atë.

Puna e saj e përditshme, siç e tregon dhe vetë Yllka është komunikimi i vazhdueshëm me njerëzit, sqarime, dhënie informacioni, referime e këshillime. “Zyra e ndihmës ekonomike”, tregon ajo, “zakonisht është një zyrë ku kërkohet informacion e sqarim për procedurat e aplikimit për ndihmë ekonomike, marrjen e vërtetimeve për familjet ekzistuese, përgatitjen e raporteve sociale për familjet apo për disa kategori në nevojë”.

Por rutina e përditshme e Yllkës dhe e gjithë Drejtorisë së Shërbimit dhe Kujdesit Social pranë bashkisë Lezhë, ku një e një ekip prej 13 profesionistësh japin shërbime sociale për  komunitetin, tashmë është krejt ndryshe. Përveç punëve të zyrës dhe vizitave në familje, që janë detyrim ligjor i përmuajshëm, për familjet që futen rishtazi në skemën e ndihmës ekonomike dhe për ato ekzistuese, punonjësit socialë nisën të japin dhe një ndihmesë shtesë: askush nuk i njeh familjet në nevojë më mirë sesa ata. Ndërsa vetë familjet në nevojë nuk kanë asnjë derë tjetër ku mund të trokasin, përpos kësaj dere.

“Puna është bërë më intensive”, tregon Yllka Brahimi në këtë intervistë. “Kontaktet me qytetarët janë shtuar për shkak të vështirësive ekonomike dhe pasojave sociale që shkaktoi pandemia në jetën tonë të përditshme. Puna është fokusuar këto dy vite përveç rutinës së zakonshme, kryesisht me kontaktet me organizatat sociale për të mundësuar mbështetjen me pako ushqimore e me mbështetje të tjera me pako higjieno-sanitare”.

Përtej ndihmave humanitare, administratorët si Yllka gjatë kësaj kohe kanë qenë kanali i vetëm për dhënies se informacioneve në lidhje me Covid-19. “Këto janë dhe shërbimet bazë që ne japim, por në kushtet e Covid-it. Kështu i ruajtëm kontaktet përmes telefonave, rrjeteve sociale, grupeve vullnetare që kanë ofruar shërbime nëpër shtëpi, por udhëzimeve gojore, por edhe të shkruara përmes fletushkave për rregullat e të jetuarit me COVID-in”.

Duke qenë porta e vetme ku anëtarët e familjeve në nevojë trokasin, dera e administratorëve ka qenë e hapur dhe për t’i vënë në kontakt me mjekët. Yllka rrëfen se ka pasur disa raste të tilla, ndërsa puna më e madhe që ata kanë këtë ka qenë lidhur me sensibilizimin për vaksinimin. Kemi punuar për të sensibilizuar familjet që na kanë ardhur në zyrë, kur kemi bërë vizita nëpër familje, por edhe në takimet e herëpashershme që organizojmë me familjet që janë përfituese të ndihmës ekonomikë”.

Zakonisht janë gratë ato që shkojnë në këto zyra më shumë sesa burrat. Ndoshta sepse ngaqë kujdesen për fëmijët, janë më të interesuarat të marrin informacionin.

Përveç ndihmës ekonomike, ato kërkojnë informacione të tjera të lidhura me përfitimin e bursës për fëmijët, kompensimin e energjisë elektrike, lehtësimin që kanë në taksat dhe detyrimet, për kurse profesionale, për mundësitë e punësimit. Yllka tregon se janë të shumta rastet kur zyra e saj i vë në kontakt me bizneset e zonës. “Gjithashtu i ndihmojmë edhe për procedurat e pagesës KEMP-it, por edhe i lidhim me sektorët e tjerë të drejtorisë sonë që lidhen me NJMF, Sektori Kundër Dhunës në Familje, Strehimit Social, por edhe referime drejt qendrave dhe organizatave të tjera për të marrë shërbime të mundshme sipas fokusit të punës së tyre”.

Dhe ndonëse Yllka dhe kolegët e saj dy vite të shkuara s’e kishin menduar se do vinte dita që do të fusnin në axhendën e tyre edhe informacionet për rreziqet dhe mbrotja nga Covidi, tashmë e kanë dhe këtë përvojë. Dhe ditë pas dite është bërë pjesë e rutinës së tyre. /ywca-albania.al/

“Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Familjet dhe fëmijët në vështirësi  kanë akses në shërbime dhe informacion për mbrojtjen nga rreziqet”, që po zbatohet nga YWCA of Albania me mbështetjen e UNICEF dhe USAID. Programi synon fuqizimin e familjeve me ndihmë ekonomike duke dhënë informacion, mbështetje dhe duke i afruar shërbimet më pranë tyre. Nëpërmjet takimeve dhe intervistave ne duam të dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe t`iu japim zë vështirësive që janë pjesë e përditshmërisë. Nga bashkëpunimi i suksesshëm edhe më punonjësit e shërbimeve sociale, ne duam t`i adresojmë tek ta këto sfida, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për t`iu mundësuar familjeve me vështirësi ekonomike zgjidhje konkrete për një jetë plot dinjitet dhe me shpresë për të ardhmen”.