Nga Iva Tiço/ I ftohti i këtyre ditëve nuk i ndalon një grup njerëzish të mblidhen në orën 10 në sheshin e vogël përpara Drejtorisë së Shërbimit dhe Kujdesit Social e të hyjnë njëri pas tjetrit, ndërsa vënë maskat në një nga sallat e vogla të katit të parë. Qëndrojnë të ndrojtur, me duart mbledhur dhe ndokush pyet me të zë ulët “përse na kanë thirrur”.

Meme, drejtoresha e qendrës, nuk i lë të hamendësojnë gjatë, apo të presin. Ajo u tregon se ky është një nga takimet e radhës, që bëhet si pjesë e programit “Familjet dhe fëmijët në vështirësi  kanë akses në shërbime dhe informacion për mbrojtjen nga rreziqet”, që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe USAID, me qëllim ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve se nuk është ndihma ekonomike zgjidhje e përhershme, dhe se ata nuk duhet të kërkojnë të mbeten të varur nga ajo pagesë.

Një ndihmë më të madhe ekonomike kërkon dhe Irena, një grua rreth të dyzetave , e divorcuar dhe me tre fëmijë. Irena tregon se deri tani nuk ka qenë kurrë tek zyrat e punës “e kam të pamundur të shkoj në punë”, – thotë ajo “më duhet të kujdesem për djalin e sëmurë, ai nuk shkon rregullisht në shkollë sepse ka probleme me ecjen. Pastaj janë dhe dy fëmijët e tjerë, me kë të rrinë ata në shtëpi nëse unë shkoj në punë?”

Drejtoresha bisedon me të dhe i tregon se ka zgjidhje dhe për problemin e saj, në bllokun e banesave sociale ka shërbim fizioterapie dhe gjithë shërbimet e tjera për të cilat kanë nevojë fëmijët e sëmurë. “Mos e shiko ndihmën si zgjidhje të përhershme, as pagesën e qirasë”, – i thotë drejtoresha. “duhet të kërkosh ndihmë pranë kësaj qendre, që fëmija i sëmurë të trajtohet atje. Kështu edhe ti do të jesh e lirë të punosh”.

“Kërkoni të dilni nga situata juaj”, u thotë ajo, ndërsa i tregon Irenës, që nuk ka as përvojë pune dhe as zanat se ajo mund të regjistrohet në një kurs profesional, mund të bëjë përshembull një kurs rrobaqepësie, ku mund të mësojë dhe të qepë për të punuar me bizneset e vogla. “Kurset janë falas dhe gratë – kryefamiljare ndihmohen duke iu blerë edhe makinat qepëse, në mënyrë që të mund të punojnë edhe nga shtëpia, ne u gjejmë dhe punë e porosi”. Pra një mundësi më shumë që gratë si Irena të mund të kenë një zgjidhje tjetër, përveç jetës së mbyllur në shtëpi dhe pritjes së parave të ndihmës ekonomike.

Irena ende nuk është e bindur, që jeta e saj mund të ndryshojë kështu. Takimi vijon me problematikat e familjeve që kanë të gjithë probleme të ngjashme dhe në fund të takimit ajo bashkë me një punonjëse sociale do të flasin konkretisht për qendrën mësimore. Pasi ta shohë me sytë e saj se zgjidhjet ekzistojnë, ndoshta hapi i dytë do të jetë kursi i rrobaqepësisë. Por është e sigurt që mundimi për të ardhur këtu ia ka vjetur “Bëra mirë që erdha, thotë, ndoshta ka shpresë edhe për mua”. /ywca-albania.al/

 

“Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Familjet dhe fëmijët në vështirësi  kanë akses në shërbime dhe informacion për mbrojtjen nga rreziqet”, që po zbatohet nga YWCA of Albania me mbështetjen e UNICEF dhe USAID. Programi synon fuqizimin e familjeve me ndihmë ekonomike duke dhënë informacion, mbështetje dhe duke i afruar shërbimet më pranë tyre. Nëpërmjet takimeve dhe intervistave ne duam të dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe t`iu japim zë vështirësive që janë pjesë e përditshmërisë. Nga bashkëpunimi i suksesshëm edhe më punonjësit e shërbimeve sociale, ne duam t`i adresojmë tek ta këto sfida, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për t`iu mundësuar familjeve me vështirësi ekonomike zgjidhje konkrete për një jetë plot dinjitet dhe me shpresë për të ardhmen”.

Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.