“Është e gjitha një trillim. Covid-19 nuk ekziston!“ Po përpiqen të na mashtrojnë!“

Këto fjalë tingëllojnë shumë shumë të njohura! Që prej fillimit të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, një pjesë e qytetarëve kanë treguar mosbesim ndaj situatës.

Në fakt ka shumë faktorë që kanë kontribuar në rritjen e dyshimeve ndaj pandemisë. Dhe për të përçuar besim dhe siguri, është e rëndësishme të kuptohet se çfarë qëndron përtej një pohimi “ Po përpiqen të na manipulojnë!“ Në fillimet e pandemisë, e gjithë situata ishte krejtësisht e paqartë. Informacionet ndryshonin nga momenti në moment, duke shkaktuar shumë konfuzion. Si qenie njerëzore ne kemi nevojë t`ju japim kuptim ngjarjeve. Te gjendur përballë shumë dilemave, një pjesë e jona zgjodhi mohimin e pandemisë. Mosbesimi i pandemisë vihet re sidomos tek individët me te ardhura të pakta, të cilët janë janë konsideruar si grupet më vulnerable. Këto familje përballen me sfida të shumta, por mbi të gjitha janë të privuar nga mungesa e saktë e informacionit, për shkak të aksesit të ulët në burime.

Për këtë arsye, YWCA of Albania në bashkëpunim me UNICEF dhe me financimin e USAID janë duke realizuar një fushatë intensive në bashkitë e Tiranës, Shkodrës, Elbasanit dhe Kukësit me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të familjeve me ndihmë ekonomike dhe individëve me nevoja të veçanta për ruajtjen e higjenës, respektimin e masave mbrojtëse dhe rëndësinë e vaksinimit. Secili takim, pjesë e rëndësishme e të cilave kanë qenë edhe Shërbimet Sociale ka shërbyer për të kuptuar sfidat e nevojat e qytetarëvë, por mbi të gjitha për t`iu dhënë atyre informacionin e duhur për të qëndruar të shëndetshëm.

Të gjithë të pranishmit nëpër takime dakordësoheshin që pandemia ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore jetën e të gjithëve dhe ndërveprimet mes njëri-tjetrit. Përballë dyshimeve, skepticizmit, lajmeve të pavërteta që qarkullojnë nëpër media, ekziston mënyra më e suksesshme, që ka fuqinë të na rikthejë në realitetin e mëparshëm: Ajo është vaksina!

Gjatë aktiviteteve intensive të realizuara, të pranishmit jo rrallë herë kanë ndarë dyshimet dhe frikërat e tyre. “Ka shumë mite rreth vaksinës. Ne nuk dimë se çfarë të besojmë!“- është shprehur B. F, përfituese e ndihmës ekonomike në Bashkinë Tiranë. Mes kuptimit të shqetësimit dhe vetëdijshmërisë për presionin që ka informacioni i gabuar, pikërisht kjo fushatë intensive ka pasur në fokus orientimin e qytetarëve drejt kanaleve të besueshme të marrjes së informacionit dhe theksimit se “Vaksinat kundër COVID-19 janë jashtëzakonisht të sigurta dhe efektive!“.

Gjithashtu, ne po synojmë t`iu japim fuqi familjeve me ndihmë ekonomike dhe individëve me nevoja të veçanta të vendosin për shëndetin dhe jetën e tyre bazuar tek informacioni i saktë dhe shkencor. Të dëgjuarit dhe rritja e përkatësisë në grup është një tjetër strategji që ka ndihmuar në krijimin e marrëdhënieve pozitive, që i orienton drejt procesit të vaksinimit. Nëpër takime, familjarët kanë pasur mundësinë dhe të dëgjojnë histori suksesi, sesi vaksina ka përmirësuar shëndetin dhe i ka ndihmuar individët t`i rikthehen jetës cilësore. Është e rendësishme të krijohet një komunitet që ndan përvojën personale dhe që angazhohet në përçimin e mesazhit: “Koha për të bërë vaksinën është TANI!“

 

Ky shkrim realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i grupeve vulnerabël për të pasur një komunitet të ndërgjegjshëm dhe të informuar ndaj Covid-19 dhe procesit të vaksinimit“, që zbatohet nga YWCA of Albania në bashkëpunim me UNICEF dhe USAID në bashkinë e Tiranës, Shkodrës, Kukësit dhe Elbasanit.