Puna me fëmijët padyshim që është një nga punët më të bukura dhe të veçanta. Sinqeriteti, dashuria, energjia, kreativiteti që fëmijët kanë, si dhe mënyrat e tyre unike të të menduarit për botën e bëjnë të gjithë procesin dinamik.
E të gjithë këto elementë i kishte edhe Qendra Ditore në Durrës, e hapur për të ofruar mbështetje dhe mësimdhënie sipas qasjes joformale, në kuadër të projektit “Qendrat e Fëmijërisë së Hershme si hapësira kreative dhe të sigurta “, zbatuar nga YWCA of Albania, me mbështetjen e UNICEF dhe në bashkëpunim me USAID. Kjo qendër do të mirëpriste fëmijët e komunitetit afgan të zhvendosur përkohësisht në vendin tonë. Të vetëdijshëm se puna do të ishte sfiduese, se shpesh buzëqeshjet e fëmijëve mund të ishin shprehje nevojash dhe se refuzimet e tyre mund të ishin frikë, krijuam një mjedis ku të gjithë do ndiheshin të sigurtë, do ndanin përvojat e tyre nëpërmjet lojërave dhe vizatimeve, e do të gjenin shpresë për të qenë sërisht vetja.
Fëmijët që vizitonin Qendrën tonë ishin ngjarje të jetuara dhe shpesh të pathëna. Ata vazhdimisht ishin nën supervizimin e mësuesëve dhe stafit të iniciativës, që i orientonin drejt aktiviteteve, krijimit të marrëdhënieve të shëndetshme dhe menaxhimit të emocioneve.
Shpesh herë fëmijët ishin shumë bashkëpunues, e herë të tjera përfshirja e tyre kërkonte një punë më sistematike, mbështetje më të madhe dhe përsëritjen e vazhdueshme të mesazhit të pranimit dhe dashurisë. E në fakt, ky ishte edhe rasti i Xh., një djali 6 vjeç që frekuentonte dhe përfitonte nga shërbimet e Qendrës Ditore.
Kur Xh. erdhi për herë të parë i shoqëruar nga nëna, ndjenjat e mërzisë të shigjetonin tek sytë e tij. Ai nuk pranoi të komunikonte, por vendosi t`i besonte ngjyrave të Qendrës që i falnin siguri. Ishte e vështirë që Xh. të krijonte marrëdhënie me fëmijët e tjerë, pasi kishte një nevojë të madhe që të qëndronte vetëm. Nuk i pëlqente të ndante lodrat me të tjerët, të ndiqte udhëzimet dhe të respektonte rregullat.
Pavarësisht se situata dukej shumë sfiduese, dëshira e fëmijës për të qenë pjesë e Qendrës Ditore ishte shenja e parë e nevojës për ndihmë dhe dëshirës për progres. Ditë pas dite, mësueset arritën të zbulonin pikat e forta të Xh. Loja me numrat dhe alfabetin, si më të preferuarat e tij e ndihmuan të vendoste komunikimin me mësueset, që vazhdimisht e vlerësonin, e nxisnin të përfshihej dhe të krijonte kontakte më të afërta. Izolimi dhe distancimi ia le vendin shumë shpejt diskutimeve, angazhimit dhe përqafimeve.
Por fëmijët kanë nevojë për fëmijët e tjerë, për të ndarë kohë mes tyre, për të qenë bashkë në botën e imagjinatës dhe për të ndërvepruar në lojërat ku testojnë botën reale. Xh, ishte komplet i tërhequr nga shokët dhe shoqet e Qendrës. I vetmi aktivitet ku bashkohej ishin momentet pranë Këndit të Leximit. Andaj, vendosëm që të realizonim sa më shumë veprimtari me fokus leximin. Lexojmë për t`u edukuar, për t`u informuar, por lexojmë edhe për t`u socializuar dhe për të mos qenë vetëm. E kështu, në rastin e Xh. u përdor narracioni për të rritur përfshirjen sociale, u eksploruan personazhet dhe u përdorën historitë për të promovuar rëndësinë e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, si të vetmen mënyrë për të jetuar të lumtur!
Tabloja e historisë së Xh. bëhet më e suksesshme kur progresi vihet re tek përmirësimi i vetes dhe botës së tij emocionale. I apasionuar pas pikturës, në fillimet e tij Xh. përdorte vetëm ngjyrën e zezë për të reflektuar ndjesitë. Pasioni i tij për pikturën u përdor si pjesë e aktiviteteve të Qendrës për ta orientuar drej pozitivitetit, kreativitetit dhe argëtimit. Dalëngadalë, teksa ulej dhe diskutonte me shokët, vizatimet morën ngjyrë dhe ngjyrat sollën gëzim tek të gjithë, e sidomos tek prindërit e Xh.
Prindërit e Xh. kanë ndarë gjithë eksperiencën dhe ndjesitë për progresin e djalit të tyre. Ata janë shprehur se kanë vënë re ndryshime të dukshme tek Xh. Refuzimi për të dalë jashtë dhomës është kthyer në dëshirë për të shkuar pranë Qendrës Ditore dhe izolimi i ka lënë vendin argëtimit. Xh. ndihet i lumtur dhe i qetë dhe kjo reflektohet gjithë kohës në shtëpi, klasë e mjedise të tjera.
Xh. nuk është thjesht një histori suksesi. Xh. është përvoja sesi fëmijët kanë nevojë për të rritur që iu besojnë dhe i disiplinojnë pozitivisht. Xh. është shembulli sesa ndikim kanë mësuesit tek ndjenjat dhe emocionet e fëmijëve, sesa të rëndësishme janë shërbimet e integruara dhe mjediset që ofrojnë mundësi për zhvillim dhe vetëshprehje.
Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Qendrat e Fëmijërisë së Hershme si hapësira kreative dhe të sigurta”, zbatuar nga YWCA of Albania, me mbështetjen e UNICEF dhe në bashkëpunim me USAID.