Nga Iva Tiço/ Një banesë përdhese pa energji elektrike, fëmijë të sëmurë që i ka rritur e vetme, skamje dhe vite me radhë në skemën e ndihmës ekonomike. Kështu do të përshkruhej me pak fjalë jeta e Verës, një nga kryefamiljaret që është trajtuar me ndihmë ekonomike në Berat.  Në intervistën e realizuar në çdo fjali ajo përmend “fëmijët” si pikë e dobët, por edhe si pikë e fortë. Janë fëmijët që i japin forcë për t’ia dalë mbanë e për të shpresuar, sidomos tani që një prej tyre sapo ka mbaruar shkollë profesionale 2 vjeçare dhe është në pritje të punës dhe tjetra ka fituar një bursë nga Bashkia e qytetit. Ata janë shpresa se gjendja e vështirë e familjes së tyre do të ndryshojë. Por janë dhe pikërisht fëmijët dhe problemi i saj më i madh për momentin, një nga vajzat, e cila është e sëmurë e që kërkon kujdes të përhershëm, që nuk e lejon të fillojë një punë të përditshme, rroga e së cilës do ia kishte bërë disi më të lehtë jetesën.

Për momentin jeta e Verës është më të vështirat ndër familjet në nevojë. Dyzetegjashtë vjeçarja, pjesë e komunitetit egjiptian, me origjinë nga Shkodra, jeton në Berat në një shtëpi përdhese. Ndonëse kushtet aty janë të vështira dhe banesa nuk është e përshtatshme për temperaturat e ulëta apo të larta, për Verën është shumë më e mirë sesa çadra, në të cilën ka jetuar deri tetë vite të shkuara. E ndarë nga burri, babai i tre fëmijëve, por me të cilin nuk ishte celebruar ligjërisht, për gjashtëmbëdhjetë vite me radhë ajo ka jetuar vetëm me ndihmën ekonomike prej 36 mijë lekësh (të vjetra). Prej dhjetë vjetësh, qëkur burri e ka lënë, i duhet të jetë vetë nënë dhe baba për fëmijët, ndërsa ndihma financiare gjithmonë  “ka avulluar” në çast. “Gjëja e parë që bëj kur marr lekët, është të laj borxhet që kam marrë për t’u ushqyer”, tregon ajo, “pastaj s’ka më. Nuk kam asgjë tjetër”.

Nëse e pyet se çfarë i mungon më së shumti në jetën e përditshme, Vera e pret shkurt “çdo gjë!”. Madje edhe energjia elektrike në banesë. “Por po, kam ujë. Dhe gatuaj me gaz. Gatuaj çfarë të gjej. Nuk kam shumë mundësi”, tregon ajo. Pajisje elektroshtëpiake nuk ka asnjë. Kurse shtëpia ka shumë lagështirë, ndaj dhe fëmijët sëmuren shpesh. Sidomos vajza e madhe, që është me epilepsi, me sëmundje të zemrës dhe me skoliozë.“Nuk kemi asnjë mjek që të kujdeset për ne, asnjë”, thotë. Kohën e kalon brenda banesës, bashkë me fëmijët që bëjnë detyrat e shkollës, edhe pse pa energji elektrike. “Nuk kanë as shokë as shoqe, nuk kanë as televizor”, tregon ajo.

Rasti i Verës është një nga ato rastet tipike të atyre që të mësuar të varfëri gjithë jetesën e mbështesin tek ndihma ekonomike. Nëse  e  pyet  se çfarë kërkesash ka Vera përgjigjet thjesht: “vetëm pagesën e KEMP-it për vajzën, që ajo të kurohet. Dhe ushqim të përditshëm. Vetëm kaq kërkesa kam”.

Kur u regjistrua në vitin 2005 për të marrë ndihmën ekonomike ajo tregon se procedura ishte e tjeshtë dhe pati gjithë ndihmën e nevojshme për ta bërë. “Që atëherë më kanë ardhur për të më parë e kontrolluar vetëm një herë, më panë dhe ikën, bënë punën e tyre. Nuk kam asnjë informacion tjetër. Kur duhet të marr ndihmën e marr vesh nga të tjerët dhe shkoj e marr. Këto janë informacionet që kam”.

Por nëse të gjitha këto përgjigje Vera i jep shkurt fare, sikur të jetë dorëzuar përpara vështirësive dhe nuk asnjë dëshirë të bëjë një hap më tej, kur vjen puna tek fëmijët zëri nis e i bëhet më i gjallë dhe pëlqen të flasë më gjatë, më me detaje. Për gëzimin e saj të madh, vajza më e vogël, 13 vjeçare, sapo ka fituar një bursë nga Bashkia. “Vajzën e vogël e kam shumë të mirë në shkollë, ka marrë gjithmonë fleta lavdërimi. Për shkollën luftojmë shumë. Edhe vajza e madhe, që është e sëmurë, shkon prapë në shkollë, sado që ndjehet keq dhe atje e ngacmojnë, nuk ia varin… Ka raste që vjen e e nxehur në shtëpi, sepse gjendjen e keqe ia krijon edhe epilepsia, që i ka nisur qëkur ishte 7 vjeçe, nga temperatura e lartë”. Vera tregon se pikërisht për shkak të kësaj vajze ajo e ka pasur të pamundur të punojë, edhe pse tre apo katër herë ka tentuar të futet në punë në fasoneri. Por puna i ka zgjatur me ditë, ndërsa në Zyrën e Punës nuk është fare e regjistruar. “Kam arsim 8 – vjeçar dhe mund të bëj çdo lloj pune, por nuk kam mundësi për shkak të vajzës së sëmurë”.

E megjithatë nga zyra e Shërbimeve Sociale në Berat, që e kanë ndjekur për 16 vjet rastin e Verës tregojnë se nga ana e tyre është punuar vazhdimisht me këtë familje në mënyrë që të ndryshojë mënyrën e jetesës dhe shkëputet nga skema e ndihmës ekonomike. Vajza e sëmurë po merr e pagesën e paaftësisë, ndërsa vetë Verës në mënyrë të vazhdueshme i është ofruar punë, edhe pse ajo nuk ka pranuar, ndaj edhe ka dalë  nga skema e ndihmës. Tani për tani nuk po bën plane për punësimin e saj, por të fëmijëve. “Shpresoj që djali që ka mbaruar shkollën 2 – vjeçare profesionale në Elbasan për administrate, me mbështetjen e dhënë nga bashkia, të mund të punojë”, thotë ajo. “Le të shpresojmë.  Kur mendoj të ardhmen mendoj vetëm që të bëjnë përpjetë fëmijët, vetëm tek ata i kam shpresat dhe tek i madhi Zot! Të ecin ata për veten e vet në radhë të parë. Perspektiva ime është shkolla e tyre”. /ywca-albania.al/

 

“Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Fëmijët në qendër të politikave lokale të mbrojtjes sociale”, që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe JSDG FUnd. Programi synon fuqizimin e familjeve me ndihmë ekonomike duke dhënë informacion, mbështetje dhe duke i afruar shërbimet më pranë tyre. Nëpërmjet takimeve dhe intervistave ne duam të dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe t`iu japim zë vështirësive që janë pjesë e përditshmërisë. Nga bashkëpunimi i suksesshëm edhe më punonjësit e shërbimeve sociale, ne duam t`i adresojmë tek ta këto sfida, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për t`iu mundësuar familjeve me vështirësi ekonomike zgjidhje konkrete për një jetë plot dinjitet dhe me shpresë për të ardhmen”.

Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.