Kur punon me komunitete që janë përballur me emergjenca, asnjëra nga historitë nuk i ngjan tjetrës. Janë histori të vajzave që duan të ngrenë zë mbi padrejtësitë, histori të djemve që refuzojnë normat sociale, histori të prindërve të përkushtuar, sado herë që jeta i ka sfiduar.
Por pavarësisht ndryshimeve, të gjitha historitë duket se janë një! Ato janë rrëfime të shpresës dhe mbi të gjitha, histori të reziliencës dhe dëshmi njerëzore të përballimit të çdo vështirësie.
Kur A.Sh, 37 vjeç vizitoi Qendrën Ditore, lehtësisht mund të vije re sesa shumë i mbronte fëmijët e tij. I lindur në Kabul të Afganistanit, përgjatë shkëmbimit të eksperiencave me prindërit e tjerë. A. ka ndarë historinë e tij. Ai tregoi për karrierën ushtarake, të cilët e cilësonte si një punë me avantazhe të shumta përsa i përket aspektit financiar. Pagesa e lartë ia lehtësonte kujdesin për familjen. Nga ana tjetër A rrefeu se ka punuar me ekipe të ndryshme nga e gjithë bota, duke iu dhënë kështu mundësia të krijojë marrëdhenie me të tjerët, si dhe të kuptojë kultura të ndryshme.
Por përpos kësaj tabloje, A mes lotëve nuk ka hezituar të ndajë vështirësitë e tij, ku i duhet të qëndronte larg familjes, si dhe të ishte në gadishmëri totale përgjatë 7 ditëve të javës, 24 orë në ditë. Kur situata në Afganistan filloi të ndryshojë, rreziku ndaj A sa vinte e shtohej. A. Sh. tregoi se ishte plagosur 3 herë dhe në çdo autokolonë që drejtonte lutej që të kishte mundësi të ishte pranë fëmijëve të tij sa më shpejt.
A rrefeu se po rrezikonte praktikisht çdo gjë për shkak të pozicionit të tij të punës dhe për këtë arsye zhvendosja në Shqipëri u konsiderua një çështje jetike dhe prioritare. Mes dilemave, A pohon se tashmë ndihet shumë i qetë dhe në paqe që ka mundësi të shikojë fëmijët e tij të jenë të sigurtë.
I vetëdijshëm për vështirësitë që ka kaluar, A e ndien shumë të nevojshme të marrë pjesë në takimet e ndryshme që realizohen me prindërit. Ai i konsideron jo vetëm një mundësi për të shkëmbyer eksperiencat, por edhe një mundësi për të marrë më shumë informacion për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve parashkollorë.
A i vlerëson të gjitha aktivitetet që realizohen pranë Qendrës Ditore. Kështu ai është vazhdimisht i angazhuar për të ndjekur progresin e fëmijëve të tij, që frekuentojnë rregullisht qendrën. A. Sh është shumë mirënjohës për çdo mundësi që po i jepet në Shqipëri për të shprehur veten, emocionet dhe sfidat që ka kaluar, por edhe për të folur me të gjithë pjesëtarët e komunitetit, për të marrë forcë nga njëri tjetri dhe për të gjetur mbështetje, pavarësisht rrethanave të vështira.
Kjo histori është krijuar në kuadër të projektit “Qendrat Ditore si hapësira të sigurta dhe kreative”, implementuar nga UNICEF Albania me mbështetjen e qeverisë së SHBA dhe në partnership me YWCA of Albania. Për shkak të rrethanave të ngjarjes, historia nuk është shoqëruar me foto, si dhe inicialet janë ndryshuar.