Nga Iva Tiço/ Të mund të krijosh një mundësi në mes të vështirësisë më të madhe, duket si një fjali motivuese e nxjerrë nga faqet e librave. Por ja që ka dhe njerëz që e bëjnë vërtetë këtë, që momentet e këqija i bëjnë dhe më krijues.

Kështu ka ndodhur me administratorët e ndihmës sociale, që në kushtet e Pandemisë jo vetëm që kanë dhënë një ndihmë më shumë, por kanë parë mundësitë sesi mund ta kthejnë situatën në favorin e tyre, pse jo edhe për të punësuar njerëz.

Një prej këtyre njerëzve që është ndihmuar është dhe Eglantina nga Berati, 52 vjeçare. Nëse deri një vit më parë i kishte syte vetëm tek ndihma ekonomike dhe gjithë ç’mund të kërkonte, ishte thjesht që ndihma të ishte më e madhe, tani flet me krenari sesi ka nisur të qepë maska, por dhe ndonjë gjë tjetër, dhe mund të shohë me pak optimizëm të ardhmen e saj. “Në qershor nisa të marr pjesë në kurset e rrobaqepësisë, të organizuar nga Bashkia e Beratit”, tregon ajo për këtë intervistë. Kam marrë pjesë rregullisht në të gjitha takimet që na organizojnë, që në fillim. Na kanë informuar për Covid-in dhe na kanë ndihmuar gjatë kohës së Pandemisë. pastaj dhe për vaksinat, unë i kam bërë të dyja dozat dhe falë Zotit nuk jam sëmurur”.

Eglantina është e ve, burri ka rreth pesë vjet që i ka vdekur dhe nuk kanë fëmijë, ndaj jeton e vetme. Ka mbaruar shkollën e mesme profesionale dhe dikur punonte në Kombinatin e Tekstileve. “Pastaj për disa kohë kam punuar si kujdestare në një shtëpi fëmijësh, por pastaj u sëmura, bëra një operacion, por nuk përfitoj KEMP. Kam probleme me këmbët ndaj e kam të pamundur të shkoj në punë”.

Ndonëse ka disa vjet sigurimet shoqërore të paguara, moshën e pensionit Eglantina e ka ende larg. Ndaj ideja e punës si rrobaqepëse nga shtëpia, i ka ardhur mjaft për shtat. I siguron disa të ardhura më shumë, sepse ndihma për kategorinë e saj është shumë e vogël dhe nuk del për të jetuar, por dhe mund të punojë pa u dashur të stërmundojë këmbët. “Në kohën e trajnimit mësuam dhe shumë gjëra të tjera”, tregon ajo. “Mësuam të qepim përparëse, grykëse, kapuçë. U bë dhe një minipanair me prodhimet tona. Na ka ndihmuar goxha”. Në sajë të këtij programi asaj dhe grave të tjera si ajo u është dhënë makinë qepëse, Administratorët socialë u sigurojnë dhe copërat dhe gjitha materialet e punës, kurse produktet e qepura, kryesisht maskat, blihen nga gratë si Eglantina që i qepin dhe u shpërndahen të tjera familjeve në nevojë. Kështu dhe një sfidë kaq e madhe, sa përballimi i pandemisë dhe pasojave të Covid-19 mundi të kthehej në një mundësi për të bërë diçka më shumë për familjet e përfshira në skemën e ndihmës ekonomike dhe u kuptua se si zyrat e administratorëve të ndihmës sociale janë hallka më e rëndësishme që lidh komunitetin e atyre që kanë mundësi të kufizuara me pjesën tjetër të shoqërisë. E që në këtë rast bëjnë të mundur të ndezin dhe një rreze shprese tek gratë si Eglantina, që në kohërat ndoshta më të pashpresa, kanë parë se mund të bëjnë diçka të vlefshme duke punuar. /ywca-albania.al/

“Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Familjet dhe fëmijët në vështirësi kanë akses në shërbime dhe informacion për mbrojtjen nga rreziqet”, që po zbatohet nga YWCA of Albania me mbështetjen e UNICEF dhe USAID. Programi synon fuqizimin e familjeve me ndihmë ekonomike duke dhënë informacion, mbështetje dhe duke i afruar shërbimet më pranë tyre. Nëpërmjet takimeve dhe intervistave ne duam të dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe t`iu japim zë vështirësive që janë pjesë e përditshmërisë. Nga bashkëpunimi i suksesshëm edhe më punonjësit e shërbimeve sociale, ne duam t`i adresojmë tek ta këto sfida, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për t`iu mundësuar familjeve me vështirësi ekonomike zgjidhje konkrete për një jetë plot dinjitet dhe me shpresë për të ardhmen”.

Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.