Fëmijët, përpos gjithë situatave që përballojnë, gjejnë forcën për të buzëqeshur dhe për të dashur jetën. Ata janë shembulli se paqja triumfon mbi luftën, dashuria mbi dhunën, edukimi mbi shtypjen! Fëmijët janë shpresa se pas çdo fundi ka një fillim të ri, një fillim që duhet të jetë i mbushur me përkujdes, mbrojtje dhe siguri!

Çdo fëmijë është një histori, e pashkruar, por e përjetuar! Fëmijët rriten në rrethana nga më të ndryshmet, disa jetojnë në familje me prindër përkujdesës, disa përballen me kushte të vështira socio-ekonomike herët në jetë e të tjerë ndikohen nga problemet psikologjike që prishin ekulilibrat e ndërveprimeve të shëndetshme.

Por mendoni një moment për fëmijët që jetojnë në zona lufte, ku terrori dhe frika është e vazhdueshme. Në një nga librat e tij më të famshëm, “Gjuetari i balonave” Khaled Hosseini shkruan: “Ka shumë fëmijë në Afganistan, por shumë pak fëmijëri”. Dhe më shumë sesa thjesht një shprehje libri, kur u vumë në konktat me komunitetin afgan, e kuptuam se kjo ishte një e vërtetë që duhej ndryshuar.

Rreth dy vite më parë, YWCA krijoi Qendrat Ditore në Shëngjin dhe Durrës, si zonat kryesore ku ishte vendosur komuniteti afgan për shkak të situatës në vendin e tyre. Nese statistikat flisnin për shifra të mëdha të të larguarve, ne ishim të vetëdijshëm se përtej numrave, çdo individ ishte një person me vlerë, që kishte nevojë për mbështetje dhe kishte një histori për të ndarë.

Sot ne duam të ndajmë me ju historinë e E.K, 6 vjeç. E. është nga zona e Pakitës në Afganistan, por së bashku me familjen e tij po qëndrojnë në Shëngjin. Si shumë afganë të tjerë, ata lanë pas jetën e tyre, për të kërkuar mundësi më të mira, por mbi të gjitha mundësi të sigurta. Dhe padyshim që e gjetën veten se mund të përshtateshin plotësisht pranë Qendrës Ditore të YWCA dhe UNICEF, një vend jo vetëm i sigurtë, por një hapësirë më shumë mundësi për vetë-shprehje, argëtim, mbështetje psikologjike dhe ndërveprim me fëmijët dhe prindërit e tjerë. 

 

                 

E. gjatë aktiviteteve argëtuese dhe edukative pranë Qendrës Ditore

E. kishte qenë pjesë e kopshtit edhe në Afganistan. Por ai ndihet ndryshe pranë Qendrës tonë Ditore. “Këtu ka më shumë lodra. Kopshti ka shumë ngjyra të bukura. Nuk ka as zhurma të vazhdueshme, që në Afganistan më frikësonin. Kur të rritem do të ndërtoj një kopsht shumë të bukur e të madh në Afganistan“.

Pranë Qendrës Ditore në Shëngjin, fëmijët afgan po mësohen me ndjenjën e sigurisë, përkujdesit dhe përkushtimit të vazhdueshëm. Sa herë takojmë E. e kuptojmë rëndësinë e mbështetjes së fëmijëve, kujdesit për mirëqenien e tyre psikologjike dhe mbi të gjitha investimit përgjatë fëmijërisë së hershme.

Shpesh here, E. është lideri i grupit. Atij i pëlqen që t`iu prezantojë fëmijëve të rinj dhe atyre më të vegjël ambientet pranë Qendrës Ditore, t`iu tregojë lojërat që realizojnë apo t`i ndihmojë gjatë vizatimeve.

“Kam mësuar si të shkruaj dhe të lexoj. Tani mund të lexoj vetë disa përralla… në fakt më pëlqen më shumë kur edukatoret na i lexojnë në grup…Kur vizatoj dhe luaj ndihem shumë mirë. E dua shumë klasën time, edhe mësueset, edhe shokët.” – shprehet E, teksa fjalët i shoqëron me buzëqeshje… një buzëqeshje që duhet të ketë çdo fëmijë, të cilët meritojnë të jetojnë të rrethuar nga përkujdesi, siguria dhe ngrohtësia!

 

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Qendrat e Fëmijërisë së Hershme, si hapësira kreative dhe të sigurta”, financuar nga USAID dhe zbatuar nga YWCA of Albania, me mbështetjen e UNICEF.

 Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.