Nga Iva Tiço/ Lezha ishte gjithçka që Diana, e martuar vetëm prej një viti e kishte menduar si “jetë më të mirë”. Asokohe, rreth 25 vite më parë, ndërsa vinin nga Puka me një familje që donin ta zgjeronin së shpejti, çifti që ishte njohur me shkuesi por që e kishte gjetur më së miri gjuhën e përbashkët kishin menduar se Lezha ofronte ato gjëra që vendlindja nuk i kishte dhe aq të thjeshta: “u zhvendosëm në Lezhë”, tregon ajo, “sepse është më mirë, janë shkollat më afër, spitali, edhe vetë shkolla është më e mirë”. Këtë menduan kur ishin të rinj, dhe sot kaq vjet më pas jo vetëm që nuk janë penduar, por ajo fjala “shkolla”, e shqiptuar thjesht si e para e arsyeve, do të dalë shpeshherë në bisedë me të, si e vetmja gjë e mirë në jetën e tre fëmijëve të saj, në njëfarë mënyre dhe si e vetmja shpresë që ajo “jeta më e mirë”, në fund të përjetohet dhe nga familja.
Pesëdhjetë vitet që mban mbi supe Diana i dëshmon mbi të gjitha me pamjen e gruas së lodhur nga vështirësitë e jetës. Sepse jeta e saj nuk ka qenë asnjë ditë e thjeshtë. Burri ka provuar emigrimin në Greqi për nja dy vjet, por nuk arriti të ndërtonte një jetë atje, as të merrte familjen. Ndihma ekonomike është e vetmja e ardhur e sigurt, sepse punët e të shoqit kanë qenë gjithmonë ditore, kurse vetë nuk ka punuar qëkur ka qenë vajzë dhe punonte në kooperativë . Kur flet për kushtet e shtëpisë ndihet si në faj “kur hyn brenda thua si jetojnë këtu pesë vetë”, ama është e qetë që është në pronësi të saj, “edhe me letra, së bashku me tokën”, thotë krenare.
Ka shumë vjet që janë të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike, qëkur jetonin në Pukë dhe ndihmën e merrte i shoqi. Tani e tërheq ajo “vetëm 80 mijë është, jo më tepër, kur i marr mendoj çfarë do bëj më parë me to”. Diana zë e numëron që i pari është ushqimi i fëmijëve, pagesat e tjera, borxhet për shkollën e djalit të madh “kam marrë borxhe, me qëllim që ai të mos vuajë, siç kemi vuajtur ne”.
Nëse e pyet se çfarë do të donte më shumë, është “një rrogë shteti për burrin, që të mbyllnim hallet. Sepse unë e kam të pamundur fizikisht, nuk kam punuar dot asnjëherë, për shkak të sëmundjes”. Dhe ky vit ka qenë dhe me halle të shtuara, sëmundje, spitale dhe Diana dhe për shkak të situatës me virusin i është dashur të marrë dhe të tjera lekë borxh për të bërë analiza në laborator privat. “Plus janë gjërat për t’u blerë për fëmijët, sidomos tani që po bëjnë mësimin online, duhen gjëra për projektet e shkollës. Të gjitha duan lekë, për telefonat dhe internetin, që fëmijët të vazhdojnë shkollën si gjithë të tjerët”.
Veçse fëmijët nuk janë si gjithë të tjerët. Diana tregon me keqardhje që ata nuk kanë shumë shoqëri, sidomos vajza. Kështu që ajo shumicën e kohës e kalon me ta brenda në shtëpi. Vitet e para i kontrollonte për detyrat dhe i ndihmonte, “tani nuk e bëj dot më, sepse librat janë të vështirë për mua. Por për fat janë të mbarë dhe mësojnë vetë. Mundohemi të flasim e diskutojmë shpesh me ta, kryesisht flasim për mungesën e kushteve, sidomos me djemtë. Vajza nuk para bën zë”.
Diana tregon që informacionet për ndihmën ekonomike i merr pranë zyrave dhe gjithmonë e kanë ndihmuar në plotësimin e dokumentave. Por thjesht asaj i vjen turp kur punonjësit e Bashkisë shkojnë për të parë kushtet ku ajo jeton “thjesht më vjen turp kur futet dikush brenda në shtëpi dhe duhet ta shohë”. Linja e ujësjellësit është shtrirë deri në banesë, por sahati është i prishur dhe ky është shqetësimi i ri që i ka prishur gjakun: sahatin e ri që kushton 80 mijë lekë i kanë thënë që duhet ta blejë vetë. Energji elektrike ka vazhdimisht, me përjashtim të periudhave që kanë defekte, siç ndodhi njëherë që nuk kishte tre ditë rresht. Për të gatuar përdor sobën e druve, kurse groshët i ka gati të përditshme. Ka qejf të gatuajë edhe gjellën me lakra, nëse ka mish, por ja që mish nuk para ka dhe për të lakrat nuk hahen pa mish “me t’u dridh duart të marrësh një thes patate, sepse ne jemi vetë i pestë, duhen blerë me thasë sepse me kile nuk ke leverdi. Por ja që thesi vetëm tre ditë shkon. Dhe e keqja është që nuk kemi mundësi as të mbjellim vetë, sepse toka është në mal dhe jopjellore”, thotë me keqardhje.
Diana nuk ka ankesa për shërbimin shëndetësor: “Sa herë kam shkuar në urgjencë, apo me djalin e madh për këmbën, m’i kanë bërë grafitë dhe të gjitha”. Tashmë djali i madh e ka bërë shumë krenar, ka mbaruar studimet për arkeologji dhe gjatë kohës së shkollës ka mundur të përfitojë bursën, gjysmë burse dhe jo të plotë, me vërtetimin që ka marrë në shoqatë ka mundur ta përfitojë. Tani sapo t’i shërohet dhe këmba, do të shkojë të regjistrohet në Zyrën e Punës. “Edhe dy të tjerët mësojnë shumë, janë ekselentë. Të dy kanë frikë se ku do vijojnë më tej, nuk kanë asnjë plan për më tej duke parë mundësitë tona që s’kemi se si t’i shkollojmë”.
Kur vjen puna tek e ardhmja, Diana ka vetëm një përgjigje: “Do Zoti më mirë. Nuk e di. Shpresoj të ndryshojë gjendja ekonomike, sepse fëmijët janë duke u rritur ishalla do punojnë dhe të dalin nga situata, por me këto kushte…”. Pavarësisht kushteve të vështira aktuale, për një gjë është e bindur: që shpërngulja në Lezhë ishte gjëja më e mirë që bënë, për shkak të shkollave, që mund t’i nxjerrin në dritë pa mbajtur sytë vetëm tek lekët e ndihmës. /ywca-albania.al/
“Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Fëmijët në qendër të politikave lokale të mbrojtjes sociale”, që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe JSDG Fund. Programi synon fuqizimin e familjeve me ndihmë ekonomike duke dhënë informacion, mbështetje dhe duke i afruar shërbimet më pranë tyre. Nëpërmjet takimeve dhe intervistave ne duam të dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe t’iu japim zë vështirësive që janë pjesë e përditshmërisë. Nga bashkëpunimi i suksesshëm edhe më punonjësit e shërbimeve sociale, ne duam t’i adresojmë tek ta këto sfida, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për t’iu mundësuar familjeve me vështirësi ekonomike zgjidhje konkrete për një jetë plot dinjitet dhe me shpresë për të ardhmen”.
Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.