Informacioni është fuqi!  Dhe padyshim, informacioni i saktë, në kohën e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 shpëton jetën!

Këtë e pohoi nëpër rreshta, S.M, 35 vjeçe, përfituese e ndihmës ekonomike pranë bashkisë Elbasan. Gjatë Ditëve të Hapura Informative, ajo ndau me të pranishmit e tjerë historinë e saj. Ajo nisi të tregonte sesa jo seriozisht e kishin marrë familjarisht pandeminë në fillimet e saj. Për ta, shqetësimi i tyre më i madh ishte izolimi dhe pamundësia për të takuar shpesh administratorët social, pika e tyre kryesore e kontaktit.

Mosbesimi ndaj situatës së Covid-19 u pasua edhe me mosbesimin ndaj gjithë procesit të vaksinimit. “ Pse të vaksinohem? Mua as virusi nuk më zuri.“-këto ishin mendimet që më kalonin në kokë pohon S.

Teksa masat ndaj Covid-19 filluan të reduktoheshin, presioni për të bërë vaksinën tek S. ulej. Për të çdo gjë i ishte kthyer normalitetit. Por, përtej çfarë S. mendonte, situate e pandemisë është reale, është një e vërtetë e pamohueshme! Dhe këtë e kuptoi shumë shpejt.

Si pjesë e skemës së mbrojtjes sociale, S. u regjistrua në një prej kurseve profesionale që ofrohen falas. Në mungesë të neglizhimit të masave mbrojtëse, si rezultat i mosbesimit të pandemisë dhe pasjes së kontakteve të afërta me shumë persona, S. rezulton pozitive me Covid-19.S. ndau me pjesëmarrësit se përballja me virusin ka qenë jo e lehtë. Por ajo që ishte më shqetësuese ishte përkeqësimi i shëndetit të familjarëve të saj, të cilët kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Për shkak të kushteve shumë të vështira të jetës, shtëpia e tyre nuk kishte hapësira. S. nuk mund ta kalonte virusin e izoluar, përpos mungesës së masave mbrojtëse.

Edhe një herë, Shërbimet Sociale ishin pranë tyre. E ndihmuan S. me maska, doreza dhe masa të tjera mbrojtëse. Mbi të gjitha, i rekomanduan të mbante kontakte të afërta me mjekun e lagjes.

Pas kalimit të infektimit, S. ishte e bindur që duhet të vaksinohej. Ajo zgjodhi të mos dëgjontë më lajmet e pasigurta dhe të pavërteta, por të drejtohej tek profesonistët. Jo vetëm për vete, por për të gjithë familjen. S. sot është e vaksinuar, por ka ende peshën e fajit për dilemat dhe mosbesimin. Po sikur të na kishte ndodhur gjë?- u shpreh e përlotur S.

S. iu tha të pranishmëve që vaksina është një domosdoshmëri. Të gjithë duhet të ndjekin këshillat e mjekëve. Për të, takimet ndërgjegjësuese janë shumë të nevojshme. Ende sot ka shumë të rinj, por edhe grupmosha të tjera që nuk janë vaksinuar nga teoritë e pabaza që dëgjojnë. Por përpos kësaj, ka edhe persona që janë neutral. Sipas S. duhet punuar shumë edhe me ta, për t`i orientuar drejt burimeve të sigurta të informacionit dhe për t`iu mundësuar zgjedhje bazuar tek e vërteta.

S. tregoi gadishmërinë për të përhapur informacionin tek komunitetit i saj. Është detyrë dhe përgjegjësi të mbrojmë veten dhe të tjerët, të kujdesemi për shëndetin e njerëzve përreth nesh! Si mund ta bëjmë këtë? Bëje hapin e sigurtë, vaksinohu!

 

Ky shkrim realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i grupeve vulnerabël për të pasur një komunitet të ndërgjegjshëm dhe të informuar ndaj Covid-19 dhe procesit të vaksinimit“, që zbatohet nga YWCA of Albania në bashkëpunim me UNICEF dhe USAID në bashkinë e Tiranës, Shkodrës, Kukësit dhe Elbasanit.