Fuqizimi i grupeve vulnerable, rritja e përfshirjes së tyre në shoqëri dhe nxitja drejt pavarësisë janë në themel të punës së YWCA. Përgjatë gjithë veprimtarisë së organizatës, target grupet e konsideruara si të marxhinalizuara për shkak të faktorëve socio-ekonomike kanë përfituar nga iniciativat dhe projektet e ndërmarra në vite.
“Fëmijët në qendër të politikave lokale të mbrojtjes sociale” është projekti i zbatuar nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe USAID. Nëpërmjet kësaj iniciative është synuar që familjet me më shumë se 3 fëmijë, përfitues të ndihmës ekonomike, të fuqizohen me informacione dhe njohuritë e nevojshme rreth shërbimeve të lidhura me mbrojtjen sociale, me qëllim pasjen e aksesit të plotë ndaj tyre. Përpos fokusit tek familjet me ndihmë ekonomike, përfitues të drejtpërdrejtë kanë qenë edhe punonjësit e shërbimeve sociale, të cilët janë përfshirë në trajnime dhe supervizime të vazhdueshme, me qëllim rritjen e kapaciteteve të tyre. Në kuadër të projektit, është hartuar edhe një model alternativ i komunikimit dhe vlerësimit të nevojave, për tu përdorur me familjet me ndihmë ekonomike dhe grupet e tjera të marxhinalizuara.
YWCA of Albania ka zbatuar projektin “Familjet dhe fëmijët në vështirësi kanë akses në shërbime dhe informacion për mbrojtjen nga rreziqet”, me mbështetjen e UNICEF dhe në bashkëpunim me USAID, me qëllim kryesor fuqizimin e familjeve me ndihmë ekonomike, nëpërmjet rritjes së informimit, fuqizimit dhe lehtësimit të aksesit për shërbimet e ofruara. Objektivi final i projektit lidhej me asistimin e familjeve në zhvillimin e afësive të ndryshme në mënyrë që të kontribuohet në përfshirjen më të mirë sociale të fëmijëve dhe gjithë familjes. Si pjesë e inciaitivës janë ofruar supervizime dhe trajnime me stafin e bashkive dhe përfaqësuesit e shërbimeve sociale, me qëllim mbështetjen e tyre, si dhe nxitjen e një bashkëpunimi më të afërt me përfituesit e mbrojtjes sociale dhe afrimin e shërbimeve tek qytetare.
“Mbështesim komunitetin dhe shërbimet sociale për të parandaluar trafikimin njerëzor”, financuar nga UNICEF është një projekt i orientuar drejt prandalimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit për fenomenin. Objektiv i rëndësishëm i iniciativës ka qenë forcimi i përgjigjeve të vazhdueshme dhe të suksesshme ndaj parandalimit të trafikimit njerëzor në Shqipëri dhe reduktimit të shpeshtësisë së tij. Ky synim është arritur nëpërmjet trajnimit të përfaqësuesve të shërbimeve sociale aftësi dhe rritjes së kapacitete të tyre për të mundësuar rinintegrimin e qëndrueshëm të target grupit në risk. Gjithashtu, puna me familjet me ndihmë ekonomike ka konsistuar në ndarjen e informacionit rreth trafikimit njerëzor dhe rritjes së ndërgjegjësimit të tyre rreth shërbimeve të ofruara përtej pagesës cash.
“Fuqizimi i grupeve vulnerabël për të pasur një komunitet të ndërgjegjshëm dhe të informuar ndaj Covid-19 dhe procesit të vaksinimit”, zbatuar me mbështetjen e USAID dhe në bashkëpunim me UNICEF ka patur në fokus rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e masave mbrotjëse ndaj Covid-19 dhe vaksinimit. Gjatë periudhës së pandemisë, familjet me të ardhura të pakëta janë përballur me vështirësi në aksesin e produkteve higjienike, të tilla si maska, dezinfektues apo doreza. Gjithashtu, këta individë kanë patur qëndrime skeptike ndaj vaksinimit. Duke marrë në konsideratë këtë situatë, YWCA ka zhvilluar një qasjeje gjithëpërfshirëse me fokus mbrojtjen nga Covid-19 dhe procesin e vaksinimit. Synimi kyesor i këtij projekti ishte fuqizimi i familjeve me të ardhura të ulëta dhe personave me aftësi të veçanta përmes dhënies së informacionit dhe mbështetjes së vazhdueshme për të rritur aksesin e tyre në shërbime të ndryshme. Përveç punës me grupet në nevojë, pjesë e iniciativës kanë qenë edhe përfaqësuesit e shërbimeve sociale dhe liderat e komunitetit, ku fokusi kryesor është trajnimi i aftësive dhe ngritja e kapaciteteve për të dhënë informacionet e nevojshme për procesin e vaksinimit dhe mbrojtjen nga Covid-19.
YWCA of Albania ka zbatuar projektin “Forcimi i komuniteteve rurale për të ndërtuar partneritete aktive dhe të vlefshme me qeveritë lokale rurale për të siguruar mirëqeverisjen” me mbështetjen e USAID në zonat Otllak, Roshnik (Berat), Bradashesh dhe Gjinar (Elbasan). Qëllimi kryesor i kësaj ndërhyrjeje ishte të mundësonte qeverisje të mirë dhe pjesëmarrëse në zonat rurale, si dhe të ndërtonte dhe të forconte shoqëritë civile rurale si partnerë të vlefshëm në konsolidimin e demokracisë me një fokus të veçantë tek të drejtat gjinore dhe të veçanta të komunitetit. Qasja që YWCA ka aplikuar ishte një proces gjithëpërfshirës i të gjithë aktorëve në komunitet, duke u përqëndruar në kontributin që secili komunitet do të jepte për të qenë pjesë e zgjidhjes.