Nga Iva Tiço/ Që nga dita kur karriera ime si gazetare mori një kthesë të papritur, duke nisur dhe një blog gatimesh, ushqimi ngjan i lidhur pazgjidhmërisht me çdo gjë që bëj. Edhe në vendet më të pamundura s’di se si e gjej veten të përfshirë me një temë ushqimi. Siç ndodhi në një prej takimeve “Ditët e Hapura në Lezhë”, ku gjatë punës për realizimin e disa intervistave, pjesë e programit “Fëmijët në qendër të politikave lokale të mbrojtjes sociale”, që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe JSDG Fund, kolegu im më solli një ëmbëlsirë. “Iva mos e humb këtë kekun me krem vishnjeje, është i shkëlqyer”, më tha ai. Embëlsira ishte pjesë e tryezës me gatime të zonjave pjesëmarrëse në aktivitet, të gjitha anëtare të familjeve në nevojë dhe pjesë e projektit që ndihmon fuqizimin e familjeve dhe që kishin organizuar një minipanair prodhimesh të duarve të tyre. Shumë gatime të zonës, por dhe nga krahinat ku familjet e zonave kanë origjinën, mes tyre dhe ëmbëlsira me krem vishnjeje. Ishte vërtetë e shkëlqyer. “A e gjejmë dot recetën?”, ishte pyetja ime direkte dhe pas saj ishte prezantimi me Inën, e cila e kishte gatuar.

Ndryshe nga ëmbëlsira e shkëlqyer, jeta e Inës, 35 vjeçare nuk ka qenë e tillë dhe i është dashur të përballet me fatkeqësi, probleme, sëmundje. E megjithatë Ina çdo ditë falenderon Zotin që i la gjallë dhe më pas Bashkinë e Lezhës, por dhe familjarët, që e ndihmuan të ndërtonin atë shtëpi, ku strehohen sot, me kushte minimale. Ndaj dhe sot është pjesë e programeve të mbështetjes sociale që synojnë që familje si e Inës të ndihmohen për të kapërcyer vafërinë ekstreme dhe të mund të fuqizohen që në të ardhmen t’u sigurojnë një jetë të sigurt fëmijëve.

Shtëpia mbahet kryesisht me ndihmën ekonomike që merr Ina, prej 6 mijë lekësh dhe ndonjë pune të vogël ditore që mund të kryejë i shoqi. Të dy kanë arsimin tetë vjeçar dhe pa kualifikime, gjë që e bën të vështirë punësimin për të shoqin dhe Ina duhet të bëjë njëqind akrobacira për të vënë ushqim në tryezë për dy fëmijët e saj. “Më pëlqen shumë të gatuaj, gjithë jetën më ka pëlqyer. Dëshirën dhe pasionin e kam që fëmijët e mi të shijojnë çdo gatim timin që mundohem me gjitthë shpirt t’i bëj sa më mirë me aq sa kam. Edhe njërëzit që provojnë ëmbëlsirat e mia i pëlqejnë, më kërkojnë recetat që unë vetë i bëj me kombinime dhe nxjerr gjithmonë diçka të veçantë”.

Siç bëra dhe unë, kur i kërkova recetën e kekut me vishnje, që më ndihmoi të njihesha me Inën dhe ta bëja pjesë të kësaj rubrike me histori njerëzore, tregimi i të cilave është vetëm një pjesë e vogël e gjithë punës së projektit. Sepse përtej çdo ndihme ekonomike, Ina dhe ato qindra gra e vajza në vështirësi, do të donin një punë të përhershme me pagesa dinjitoze.

Pasi biseduam bashkë, Ina ma dërgoi recetën dhe unë e provova në shtëpi. Dhe po e botoj më poshtë, ndonëse qëllimi i këtij blogu nuk është ky… Por ja që ushqimi e ka këtë aftësi, futet aty ku nuk ta merr mendja, zbut vështirësitë, afron njerëzit e sjell dashuri dhe ndoshta do të mund të ndryshojë dhe jetën e Inës, që ëndërron një kuzhinë më të madhe për të gatuar për fëmijët e saj. Ndoshta kur gjendja mjekësore të jetë më e mirë mund të jetë një mundësi punësimi, që familja e saj të mos jetojë më me ndihmë ekonomike dhe shumë njerëz të tjerë veç familjarëve t’i thonë “të lumshin duart për recetat e saj”.

 

Keku me vishnje i Inës

1 mollë mesatare, 1 pjeshkë, 200 gr arra; 1 gotë kos; 1 filxhan kafeje gjalpë i shkrirë; 1 gotë uji sheqer; 1 lugë gjelle kakao; 5 kokrra vezë fshati; 1 lugë çaji fryrës ëmbëlsirash; miell derisa të bëhet si brumi i petullave.

Për kremin sipër

Shurup vishnjeje bio që bëhet duke i lënë vishnjet të ndara më dysh në sheqer. Kremoz shurupi bëhet me niseshte ose miell, duke u çuar në vlim. /ywca-albania.al/

 

“Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Fëmijët në qendër të politikave lokale të mbrojtjes sociale”, që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe JSDG FUnd. Programi synon fuqizimin e familjeve me ndihmë ekonomike duke dhënë informacion, mbështetje dhe duke i afruar shërbimet më pranë tyre. Nëpërmjet takimeve dhe intervistave ne duam të dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe t`iu japim zë vështirësive që janë pjesë e përditshmërisë. Nga bashkëpunimi i suksesshëm edhe më punonjësit e shërbimeve sociale, ne duam t`i adresojmë tek ta këto sfida, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për t`iu mundësuar familjeve me vështirësi ekonomike zgjidhje konkrete për një jetë plot dinjitet dhe me shpresë për të ardhmen”.

Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.