Nga Iva Tiço/ Disa minuta përpara se të shkojë ora 10, kur dhe është caktuar takimi në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, në qarkun e Durrësit, vendet në karriget dhe kolltukët anës murit të njërës prej sallave të mbledhjeve në katin e parë, janë pothuajse të zëna. Dikush me karrige me rrota, i shoqëruar nga një zotëri në moshë të thyer, një mesogrua me një fëmijë të vogël për dorë, ndokush çift e të tjerë vetëm, të gjithë me maska, qëndrojnë në heshtje në karriget e tyre, në pritje të nisjes së takimit që kjo drejtori, ashtu si të ngjashmet e saj në qarqet e tjera, zhvillojnë në mënyrë të vazhdueshme me anëtarë të familjeve në nevojë, si pjesë e programit “Fëmijët në qendër të politikave lokale të mbrojtjes sociale”, që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe JSDG Fund. Në fillim është drejtoresha e Shërbimeve Sociale ajo që iu flet për projektin dhe pastaj, për shpjegimet e tjera, bashkë me shënimet me problematikat specifike është punonjësja sociale dhe përfaqësuesit e YWCA. Shumica e pjesëmarrësve njihen në takim, me emër e mbiemër, ua dinë madje edhe problematikën. Shumë prej tyre, problemet i kanë të ngjashme me familjet e tilla në gjithë Shqipërinë: banesa në skamje, shumë fëmijë, papunësi, sëmundje. Durrësi prej më shumë se një viti po përballet dhe me problemet e pas-tërmetit. Shumë prej familjeve u është dashur dhe të shpërngulen nga banesat, të trajtohen me bonuse qiraje krah ndihmës financiare. Për punonjëset sociale gjithashtu puna është e ndryshme nga koleget e tyre në qarqet e tjera. Krahas suportit dhe punës së përditshme të informimit të këtyre familjeve, për të dalë nga skema e ndihmës me anë të punësimit, që është edhe qëllimi i programit, i kanë ndihmuar familjet dhe të aplikojnë për bonuset e qirasë, i kanë ndjekur në hotelet ku kanë qenë të strehuar dhe u është dashur që të merren hap pas hapi me strehimin përfundimtar të tyre.
Por jetesa në Durrës, ka dhe përparësitë e veta, si në asnjë qytet tjetër shqiptar: ka mundësi të shumta punësimi, sidomos për gratë e familjeve në nevojë, në hoteleri dhe fasoneri. Dhe Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror bën të mundur veç informimit të përhershëm, edhe sigurimin e kurseve, për të përgatitur punonjëse të kualifikuara për të bërë këto punë.
Prezantimi zgjat pak, pyetje përgjigjet më shumë. Në fillim trajtohen ato që shtrojnë problemet e fëmijëve me shëndetin dhe aplikimet për ndihmë për ta. Pastaj janë familjet që kanë pak a shumë të njëjtën problematikë: asistencë sociale për familjen ku prindërit nuk punojnë dhe fëmijët të moshave të ndryshme që shkojnë në shkollë. Mes tyre është dhe D. K. dhe e shoqja, të ardhur nga veriu dhe që banojnë në Katundin e Ri. D. flet më shumë, e shoqja nuk e ul maskën për asnjë moment dhe sytë i mban poshtë. D. e nis ankimin për librat e shkollës. Thotë që vajza e madhe po mbaron klasën e nëntë dhe do të vijojë më tej studimet, por librat e shkollës së mesme do u kushtonin shumë. “Probleme të tjera nuk kam”, thotë, “veç më zgjidhni këtë. Shpresën tek fëmijët e kemi”. Familja e tij jeton me asistencë sociale, pagesa mujore për ta është 57 mijë lekë të vjetra. Të dy burrë e grua janë të papunë dhe asnjëheri nuk ka zanat. D. thotë që i kanë ofruar dy apo tre herë punë, por nuk ka pranuar. Kanë një banesë njëkatëshe dhomë e kuzhinë, por nuk kanë as tokë as oborr për të mbjellë perimet. Veç vajzës që po mbaron klasën e tetë, kanë dhe një djalë në pestën dhe vajza më e vogël është 4 vjeç.
Drejtoresha u flet dhe u thotë që mundësia e vetme për ta është punësimi, as librat falas dhe as asistenca, që nuk mund të vijojë përgjithmonë. “Nuk kemi kopsht shtetëror për të çuar fëmijët”, – thotë D, – “Nëse shkoj në punë ata nuk kanë se ku të rrinë. Derisa të mbarojnë shkollën 9 – vjeçare, nuk kanë sesi të rrinë vetëm”.
Këmbëngul gjatë në këtë pikë D. “Fëmijët janë në atë moshë që nuk di se kush të mi shohë gjatë ditës nëse ne dalim në punë. Të afërmit kanë problemet e veta, fëmijët e vet”.
Kërkesa e tij është që librat të vijojnë të jenë falas edhe në shkollën e mesme, me qëllim që fëmijët e tij të vazhdojnë shkollën. Drejtoresha i shpjegon se në Shqipëri janë falas vetëm librat për arsimin e detyrueshëm, pra atë nëntë vjeçar dhe vijon të këmbëngulë që zgjidhja e vetme për familjen e tij është punësimi, së paku njëri nga dy bashkëshortët duhet të punësohet. Mundësitë për gruan janë më të mëdha. Sapo e shoqja nis të belbëzojë se ajo do të donte të punonte. Të shkonte ne një kurs dhe të merrte zanat, sepse rroga është më mirë sesa asistenca, D. ndërhyn “Sigurisht që rroga është më e mirë, por gratë nuk i kanë shanset që të punojnë. Mos të rrezikojmë jetën e fëmijëve më kot, bukë kanë të hanë, duhet që ata të kenë njëfarë moshe që gruaja t’i lëjë vetëm”.
“Nuk ke asnjë pengesë nga unë”, i thotë të shoqes. Ajo shton se tani për tani e ka të pamundur, ndoshta kur të rriten dhe pak fëmijët…
Takimi është drejt fundit. Ata me probleme shëndetësore janë larguar të parët, gruaja me fëmijën do të qëndrojë dhe më vonë për të biseduar për mundësitë e punësimit më vonë për nusen e djalit që sapo ka lindur nje tjetër bebe kurse çifti D. largohen duke thënë se do të mendohen dhe do të diskutojnë prapë në takimin tjetër… Drejtoresha e di që do të jetë e vështirë që t’i bindë, nuk mund të jetë e sigurt as që do ia dalë mbanë, sepse kjo familje nuk është rasti i vetëm që i ka sytë tek ndihma ekonomike. Dhe mëkat, sepse Durrësi është ndër qytetet më të “pasura” me mundësi punësimi, sidomos për gratë. /ywca-albania.al/
“Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Fëmijët në qendër të politikave lokale të mbrojtjes sociale”, që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe JSDG FUnd. Programi synon fuqizimin e familjeve me ndihmë ekonomike duke dhënë informacion, mbështetje dhe duke i afruar shërbimet më pranë tyre. Nëpërmjet takimeve dhe intervistave ne duam të dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe t`iu japim zë vështirësive që janë pjesë e përditshmërisë. Nga bashkëpunimi i suksesshëm edhe më punonjësit e shërbimeve sociale, ne duam t`i adresojmë tek ta këto sfida, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për t`iu mundësuar familjeve me vështirësi ekonomike zgjidhje konkrete për një jetë plot dinjitet dhe me shpresë për të ardhmen”.
Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.