“Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?” është një nga ato pyetjet që fëmijët e vegjël i bëjnë të ëndërrojnë e ta shohin veten e tyre si të rritur për një çast, edhe pse kur rriten vërtetë pak prej tyre i mbajnë mend ato “plane” fëminore. Por dhe më pak akoma janë ata që vjen dita dhe thonë “këtë profesion e kam dashur qysh i vogël”. Për shumë të tjerë pyetja nis e përsëritet në kokë kur nuk janë më fëmijë, por për arsye të ndryshme gjenden në udhëkryqe dhe nuk dinë ç‘drejtim të marrin. Ndonjë prej tyre kërkon brenda vetes, flet me prindërit, apo dhe udhëhiqet prej tyre dhe e merr një drejtim që besohet se është më i miri, pa e vrarë shumë mendjen për atë që mund të ketë dashur dikur. Ndonjë tjetër i kapërcen dilemat vetë. Ndonjë tjetër nuk është dhe aq me fat, dhe mund ta humbasë. Por ndokënd fati, kësmeti, apo sido që t’ja vëmë emrin asaj force që drejton jetët tona, e do aq shumë, sa në një moment errësire dhe pasigurish, i jep një shans të dytë dhe i tregon një rrugë që jo vetëm e nxjerr nga boshllëku, por dhe e shpie si pakuptuar te ajo që mund të ketë qenë dikur dëshira prej fëmije.
Historia e Marios është pak a shumë e tillë, është 16 vjeçari nga Shkodra, që pasi e kishte humbur busullën dhe gjendej në një pikë ku nuk e dinte se çfarë do të bëhej me jetën e tij, tashmë e sheh veten fare pranë punës që kishte dashur që fëmijë, atëherë kur vinte hundën pas qelqit të atij dyqanit të vogël dhe mendonte me vete që do vinte dita dhe do bënte dhe ai atë punë, do bëhej berber.
Eshtë historia e djalit që takojmë në Shkodër, në takimin e Rrjetit të Partneritetit Vendor për Garancinë Rinore të Bashkisë Shkodër, të organizuar nga UNICEF dhe UNDP në kuadër të projektit “Qendra e Aktivizimit të NEET (JAPFP) – Fuqizimi i të Rinjve përmes Rrjetit të Partneriteteve Lokale në Shkodër” të zbatuar nga YWCA of Albania, falë të cilit dhe jeta e Marios mori drejtimin e duhur.
I veshur me xhinse dhe T-shirt të zezë dhe trupin e gjatë, në pamje goxha më i pjekur se gjashtëmbëdhjetë vitet e tij, Mario flet pak. Natyrë e ndrojtur “dhe jo shumë i zoti me fjalët”, siç thotë vetë ai tregon në takim se si falë këtij programi, ai tashmë është duke ndjekur kursin profesional dhe po merr një zanat, është një nga gjithë të rinjtë me plane për jetën që e pret përpara. Ai është një nga 300 të rinjtë NEET, përfitues të drejtpërdrejtë të projektit që u drejtohet pikërisht moshës 15–29 vjeç, me vëmendje të veçantë ndaj balancës gjinore dhe grupeve vulnerable. Përfitues të tërthortë të këtij programi janë sigurisht familjet, institucionet lokale, organizatat e shoqërisë civile dhe anëtarët e komunitetit, të përfshirë në informim /outreach dhe koordinim. Qëllimi i këtij projekti është të fuqizohen të rinjtë NEET në Shkodër për të pasur akses në arsim, trajnim dhe punësim përmes metodave efektive të informimit, kontaktimit, orientimit dhe referimit drejt shërbimeve të Garancisë Rinore.
Mario është njohur me programin në pranverë të këtij viti, kur së bashku me babanë e tij, mori pjesë në aktivitetet e organizuara për familjen në Qendrën Komunitare Nr. 5. Aty, për herë të parë, ai u njoh nga afër me shërbimet mbështetëse që ofron qendra, si dhe me mundësitë konkrete për arsim, kurse profesionale dhe punësim për të rinjtë. Gjatë takimeve informuese, pasi u njoh me ofertat, Mario shprehu interes të veçantë për kursin e berberit dhe me mbështetjen e koordinatorit lokal të YWCA për Shkodrën, ai kreu menjëherë regjistrimin dhe në muajin shtator nisi zyrtarisht kursin profesional. “Ajo që e bën historinë e Marios frymëzuese”, – tregon Andrea, – “është vullneti dhe përkushtimi i tij. Për të mos humbur kohë dhe për të përvetësuar sa më mirë zanatin, gjatë gjithë verës Mario zhvilloi praktikë vullnetare pranë një berberi në lagjen e tij. Kjo eksperiencë i mundësoi atij jo vetëm të mësonte teknikat bazë të prerjes dhe kujdesit, por edhe të fitonte vetëbesim në komunikimin me klientët dhe të kuptonte etikën e punës”.
Po të kishte mundësi të kthehej mbrapa në kohë ndoshta Mario do t’i bënte shumë gjëra ndryshe në jetë. Ai është pjesëtar i familjeje të vogël, me prindër që kanë punuar shumë për t’i rritur dy djemtë e tyre, e ëma rrobaqepëse në një fasoneri kurse babai në ndërtim, në fillim në emigracion në Greqi dhe tani në Mal të Zi, ku shkon çdo ditë dhe në mbrëmje kthehet pranë familjes që jeton në një zonë informale periferike të Shkodrës, pa shërbime dhe larg shërbimeve komunitare. Mario e ka nisur shkollën në moshën 6 vjeçare, si gjithë fëmijët e tjerë. “Në fillim e kisha qejf shkollën”, – tregon ai, – “pastaj me kalimin e kohës nisa t’ua var mësimeve, më pëlqente më shumë të luaja me shokët. Kur mbarova 9-vjeçaren interesi ishte bërë zero dhe nuk mendova të vazhdoja më tej”. Në një moment të tillë, pa punë dhe pa shkollë, pa bërë asgjë, e ardhmja e tij ishte në rrezik, ndaj dhe i ati i Marios këmbënguli që i biri të ndiqte me patjetër një kurs që do t’i jepte një zanat.
Tanimë, që nga fillimi i shtatorit, ai ndjek çdo ditë kursin për t’u bërë berber, që ashtu si për të gjithë të rinjtë përfitues të këtij projekti, është falas. “Ndoshta në të ardhmen do e ndihmojmë që të bëhet pjesë e programeve për të vetëpunësuarit”, – thotë Andrea, – “investohen deri në 10 mijë euro për hapjen e bizneseve të tilla, do e tentojmë dhe do aplikojmë, ndoshta Marios do t’i jepet kjo si mundësi”.
Fjalëpak si gjithmonë Mario buzëqesh dhe tregon se kjo përvojë e ka bërë jo vetëm shpresëplotë, por dhe një lloj frymëzimi për vëllain më të vogël “tani i them tim vëllai të vazhdojë shkollën, të mësojë e të dalë me nota të mira. Mua gjithsesi nuk më doli aspak keq, dhe kur isha i vogël, berber doja të bëhesha”
Aspak keq në fakt. Përpos të gjithave Mario është ndër ata të rinj që nuk është më pa shkollë e pa zanat dhe mund të thuhet që është nga ata pak fatlumë që jeta ia solli të bëhet bëhet pikërisht ai që mendonte kur ishte i vogël dhe e pyesnin se “çfarë do donte të bëhej kur të rritej”.
Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Qendra e Aktivizimit të NEET (JAPFP) – Fuqizimi i të Rinjve përmes Rrjetit të Partneriteteve Lokale në Shkodër” që zbatohet nga YWCA of Albania, në kuadër të projektit BE për Rininë (EU4Youth), financuar nga Bashkimi Evropian, dhe zbatuar nga PNUD dhe UNICEF në Shqipëri në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë, nën koordinimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.
