Nga rrugët plot më zhurmë e kaos të Kabulit në Afganistan, një numër i madh familjesh e gjetën veten larg realitetit të vështirë të luftës. Mes ëndrrave dhe dëshirave për një jetë më të mirë, shumë pjesëtarë të komunitetit afgan u strehuan në Shqipëri, një vend për të cilin ndoshta dinin pak, por shpresonin se do t’u ofronte sigurinë për të cilën kishin aq shumë nevojë.

Por strehimi dhe akomodimi nuk janë të vetmet nevoja të qenieve njerëzore! Për këtë arsye, YWCA of Albania vendosi të ofrojë shërbime me fokus edukimin, mbështetjen psikologjike, si dhe integrimin e fëmijëve, por edhe prindërve afganë.

Në historitë e mëparshme, janë identifikuar sukseset dhe përvojat reale të fëmijëve, prindërve apo edhe edukatorëve afgane, që falë përfshirjes dhe bashkëpunimit të tyre i kanë dhënë ngjyra Qendrës Ditore. Por ky shkrim iu dedikohet edukatoreve shqiptare dhe pasionit të tyre për të nxitur potencialin e fëmijëve të komunitetit afgan, përtej barrierave, përtej kulturës e gjuhës, duke shërbyer kështu si katalizatore të gjithëpërfshirjes dhe ofrimit të edukimit cilësor në situatat e emergjencës.

Edukatorët shqiptarë dhe anëtarët e komunitetit afgan kanë bashkëpunuar që në fillim të iniciativës, për të krijuar një program unik bazuar tek qasja jofromale dhe të mësuarit nëpërmjet lojës. Qendra Ditore është kthyer në një ambient ku bashkëjetojnë gjuhët, traditat dhe ëndrrat!

Lidhja e edukatoreve shqiptare me pjesëtarët e komunitetit ka shkuar përtej mësimdhënies; kjo lidhje është një dëshmi e bashkëjetësës harmonike.  Edukatoret e kanë përdorur fuqinë e arsimit për ndryshim dhe unitet, duke sfiduar steriotipet, si dhe duke ofruar mirëkuptim më qëllim krijimin e një qendre të sigurtë dhe me vlera.

                                         

Edukatoret shqiptare gjatë ndërveprimeve me fëmijët afgan

Kontributi i edukatoreve shqiptare në rritjen e rezilincës, përmirësimin e mirëqenies mendore dhe aftësive akademike të fëmijëve afgan është kthyer në simbol të transformimit nëpërmjet pranimit dhe përqafimit të diversitetit, duke krijuar kështu një urë që përçon dije përtej ndryshimeve.

 Të qeshurat dhe kurioziteti mbizotërojnë Qendrën Ditore. Por mësueset janë të vetëdijshme për gjithë sfidat që kanë kaluar fëmijët e komunitetit afgan. Për këtë arsye përpjekjet e tyre janë maksimale që nëpërmjet tregimeve, vizatimeve dhe lojës t`iu ofrojnë mbështetje fëmijëve, t`iu japin zë historive të tyre dhe të mundësojnë hapësira për vetëshprehje e vetë-shërim. Me kreativitetin që i karakterizon, edukatoret shqiptare kanë krijuar mjedise plot ngjyra pranë Qendrës Ditore, ku procesi i të mësuarit është një miniaventurë dhe çdo zbulim, sado i vogël, festohet!

Edukatoret nëpër qasjes së të mësuarit nëprmjet lojës nxisin pjesëmarrjen aktive dhe Qendra Ditore është kthyer në një strehëz ku çdo fëmijë ndihet i vlerësuar dhe i kuptuar. Ndikimi i edukatoreve shqiptare shtrihet përtej klasës. Ato punojnë ngushtësisht me prindërit, duke krijuar një urë lidhëse midis shtëpisë dhe Qendrës Ditore. Përmes komunikimeve të rregullta, ndahet jo vetëm ecuria akademike, por edhe cilësitë e talentet që i bëjnë çdo fëmijë unik.  

Dija është padyshim ura e lidhjes që kalon çdo barrierë. Mësueset shqiptare të angazhuara pranë Qendrës Ditore janë padyshim prova që pasioni i tejkalon sfidat dhe nën moton “fëmijët të parët” mjedisi i punës kthehet në një mjedis ku humanizmi dhe dashuria mbizotërojnë!

 

Kjo histori është shkruar si pjesë e projektit “Qendrat Ditore si hapësira të sigurta dhe kreative”, implementuar nga UNICEF Albania me mbështetjen e qeverisë së SHBA dhe në partnership me YWCA of Albania.