W.J, me profesion doktoreshë ka kaluar shumë vitë në misione humanitare, për t`iu qëndruar afër të gjithë personave që kanë pasur nevojë për ndihmë mjekesore. Më parë, gratë dhe vajzat ishin të lira të ndiqnin ëndrrat dhe qëllimet e tyre në Afganistan, të investonin në karrierë dhe të përfshiheshin aktivisht në jetën sociale apo politike.
“Çdo vajzë dhe grua kishte mundësinë të studionte dhe të punonte. Të drejtat tona nuk cënoheshin. Ne kishim dëshirë që të jetonim në paqe në Afganistan, por gjërat ndryshuan krejtësisht. Ne humbëm gjithçka brenda 24 orëve!”
W.J është një nga shumë pjesëtarët e komunitetit afgan që janë zhvendosur në Shëngjin, Lezhë. “Një udhëtim drejt sigurisë dhe shpresës, por edhe një udhëtim i dhimbshëm për çdo gjë që lamë pas.”
Fillimet e këtij udhëtimi, një mundësie të re siç ajo e quan, i përshkruan me shumë detaje: “Ndieja që isha me shumë fat që kisha mundur të largohesha nga Afganistani në një kohë kaq të vështirë. Por mendoj edhe për njerëzit që janë ende atje dhe përballen me sfidat dhe vështirësi të përditshme. Kam menduar se do kisha probleme me përshtatjen, edhe për shkak të kulturës. Por sot di që e kam gjetur veten plotësisht.”
Një nga shqetësimet më të mëdha të W.J ka qenë siguria dhe mirëqenia e vajzës së saj. “Pasi kuptuam që ishim të sigurtë, nevoja dhe pikëpyetje të tjera më shoqëronin për vajzën time. Për mua ishte shumë e rëndësishme investimi tek ajo, në formën e edukimit. Pavarësisht situatës, nuk doja ta privoja vajzën time nga arsimimi, por edhe nga nevoja për të qenë afër me bashkëmoshatarët.”
Dhe nuk vonoi shumë dhe W.J informohet për një nga shërbimet me fokus arsimimin: Hapja e një Qendre Ditore në Shëngjin, që do shërbente si një hapësirë jo vetëm edukative, por edhe argëtuese për fëmijët e komunitetit afgan.
W.J me vajzën e saj pranë Qendrës Ditore
“Vajza ime, M.J ka qenë një ndër regjistrimet e para në Qendër. Ditë pas dite kam kuptuar se shërbimet pranë Qendrës Ditore të YWCA dhe UNICEF kanë qenë shumë të vlefshme dhe të nevojshme për fëmijët. Vajza ime ka mësuar të shkruajë, të lexojë, si dhe të komunikojë në gjuhën angleze.” Ndikimi që kanë pasur shërbimet e Qendrës Ditore tek zhvillimi i fëmijëve kanë qenë shumë të mëdha dhe pozitive. Por përpos aspektit edukativ, nëna ve në dukje një tjetër kontribut të rëndësishëm te Qendrës: “Teksa vaza ime është pjesë e klasës, ajo ndihet më e lumtur dhe e qetë. Ka më shumë besim tek vetja dhe ndihet e lidhur me edukatoret që e trajtojnë me dashuri dhe kujdes.”
W.J gjatë aktiviteteve të realizuar me prindërit pranë Qendrës Ditore, Shëngjin
Qendra Ditore është një vend mikpritës edhe për prindërit. Nënat dhe baballarët realizojnë takime nga më të ndryshme, si edhe bëhen pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me fëmijët. “Ne ndihemi jo vetëm për përfshirë, por edhe të dëgjuar për çdo kërkesë. Edhe pse unë jam mjeke, nga takimet dhe materialet e mundësuara nga YWCA kam mësuar shumë rreth prindërimit pozitiv, por mbi të gjitha kam kuptuar sesa e rëndësishme është të shpenzonsh kohë cilësore dhe të paqtë me fëmijët! Një dhuratë e pazëvendësueshme, pavarësisht rrethanave!”- e përmbyll historinë W.J, teksa përqafon vajzën e saj.
Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Qendrat e Fëmijërisë së Hershme, si hapësira kreative dhe të sigurta”, implementuar nga UNICEF Albania me mbështetjen e qeverisë së SHBA dhe në partnership me YWCA of Albania.
Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.