Rritja e cilësisë së shëndetit dhe aksesit ndaj shërbimeve është një prej përparësive të veprimtarisë së Shoqatës Kristiane të Grave Shqiptare (YWCA of Albania). Nëpërmjet një sërë iniciativash YWCA ka promovuar jetën e shëndetshme, si dhe iu ka dhënë mundësi target grupeve të ndryshme të kenë kontakte të afërta me përfaqësues të sektorëve të ndryshme të shëndetësisë.
Një komunitet më i informuar dhe më i ndërgjegjësuar për çështjet e shëndetit riprodhues, atij seksual dhe HIV/AIDS-it do të vijojë të mbetet edhe për shumë kohë në të ardhmen një prej synimeve të veprimtarisë së Shoqatës Kristiane të Grave Shqiptare (YWCA of Albania). YWCA ka zbatuar një program të gjerë edukimi shëndetësor, i përqëndruar kryesisht në informim, ndërgjegjësim e parandalim për çështje të planifikimit familjar, metodat kontraceptive, infeksionet/sëmundjet seksualisht të transmetueshme (I/SST) dhe, në mënyrë të posaçme, për rrugët e përhapjes dhe mënyrat e parandalimit të infeksionit HIV.
Projekti “Mbështesim të rinjtë në përballjen me Covid-19” i zbatuar nga YWCA of Albania me mbështetjen e Global Albanians Foundation u implementua përmes shpërndarjes së paketave me produkte ushqimore dhe higjenike. Qëllimi kryesor i projektit ishte mbështetja e të rinjve, si një sfidë e hasur për shkak të vështirësive ekonomike. Ndikimi lidhet me përmirësimin e situatës së tyre. Pra, produktet higjenike, duke shërbyer si masa mbrojtëse, kanë ndikuar pozitivisht në shëndetin e tyre. Në të njëjtën mënyrë, paketat me ushqime ishin të nevojshme për të siguruar një mënyrë jetese dhe zhvillim të shëndetshëm.
“Ndërgjegjësimi mbi kujdesin për shëndetin seksual, si formë për parandalimin e abuzimit seksual” zbatuar me mbështetjen e UNFPA ka pasur në fokus ndërgjegjësimin rreth shëndetit seksual me të rinjtë, si mënyrën kryesore për të parandaluar abuzimin seksual. Shëndeti seksual mbetet ende një tabu për tu diskutuar edhe në shkolla. Mungesa e informacioneve sjell nevojën për vazhdim të sesioneve ndërgjegjësuese në lidhje me këtë temë. Trajnimet ndërgjegjësuese mbi abuzimin dhe ngacmimin seksual është e nevojshme që të vazhdojnë, për t`iu treguar nxënësve se nuk janë vetëm, për t`i nxitur në raportimin e rasteve, por edhe për t`i orientuar drejt praktikave të shëndetshme dhe pozitive të lidhura me shëndetin seksual.
Iniciativa e mbështetur nga CADCA, me fokus krijimin e koalicioneve me bazë komunitare synon planifikimin dhe zbatimin e strategjive parandaluese kundër përdorimit të alkoolit dhe drogës. Puna në këtë projekt pasqyron misionin e krijimit të komuniteteve të sigurta, të shëndetshme dhe pa substanca. YWCA dhe CADCA kanë punuar për të forcuar kapacitetin e koalicioneve të komunitetit duke ofruar ndihmë teknike dhe trajnime, edukim dhe advokim mbi politikat publike, strategji mediatike specifike të koalicionit dhe ngjarje të tjera të veçanta.
“Fjongo Rozë më kujton” është slogani kryesor i fushatës për ndërgjegjësimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Kjo iniciaitivë është e lidhur ngushtë me filozofinë e YWCA, duke qenë se është një nga sëmundjet që prek në pjesën më të madhe gratë dhe vajzat. Fjongo Rozë ka si mision ndërgjegjësimin për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, nëpërmjet njohjes së simptomave, informimit, si dhe nxitjes dhe fuqizimit të vajzave për të pasur kujdes ndaj shëndetit të tyre. Veprimtaria e Fjongos Rozë nga YWCA of Albania ka nisur në vitin 2008 në Tiranë, me marshimin simbolik dhe tashmë të përvitshëm, një ngjarje që kërkon të rrisë vëmendjen ndaj situatës së kancerit të gjirit. Shërbimet kryesore që ofrohen në kuadër të “Fjongos Rozë më kujton“ janë informimi, ndërgjegjësimi, mbështetja me paketa ushimore, ofrim i këshillimi psikologjik online falas, krjiimi i grupeve të mbështetjes etj.