Nga Iva Tiço/ Nëse e pyet për historitë me fund të lumtur që mund të kenë kaluar në zyrat e shërbimeve sociale të Bashkisë së Vaut të Dejës, drejtoresha Çuka Babani spikat direkt historinë e një vajze të mitur e të martuar, që jo vetëm i shpëtoi trafikimit, por arriti të kthehej e të jetonte me famljen e saj. Për vajzat e sotme të qyteteve kjo duket një histori e çuditshme, si e dalë nga ndonjë roman i keq, por në atë komunë problemi më i madh është që për shkak të pamundësive ekonomike të miturit mund të bëhen viktima të trafikimit dhe rikthimi në jetën normale, pranë familjes, të bëhet i pamundur për shkak të mentalitetit.

Drejtoresha këtë histori e tregon me gëzim dhe ende mallëngjehet kur kujton se si familjarët ende i falenderojnë, ndërkohë që ajo dhe ekipi i saj, që prej nëntorit të vitit 2021 është bërë pjesë e një programi të quajtur “Mbështesim komunitetin dhe shërbimet sociale për të parandaluar trafikimin” e që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF”.

“Programi është shtrirë në njësitë administrative të Bashkisë Vau i Dejës, ku në fokus kanë qënë familje me vështirësi social-ekonomike, që trajtohen me ndihmë ekonomike, por që në përbërjen e tyre kanë më shumë se 3 fëmijë të mitur. Janë krijuar fokus grupe me burra dhe gra, takime mobilizuese, Ditë të Hapura Informative, shpërndarje broshurash, ku është diskutuar mbi fenomenin e trafikimit, për ata që preken më shumë, për format e rekrutimit nga trafikantët, mitet mbi këtë fenomen dhe strategjitë parandaluese”, rrëfen Çuka Babani në një intervistë zhvilluar në kuadër të këtij programi.

Drejtoresha tregon se si në këtë Bashki ky fenomen është trajtuar që shumë kohë më përpara, por me ngritjen e strukturës së posaçme për shërbimet sociale, e ndarë nga sektori i ndihmës ekonomike dhe paaftësisë, është bërë e mundur që këto probleme të trajtohen më me saktësi, sipas kuadrit ligjor dhe protokolleve të punës për këtë fenomen. Ndonëse për trafikimin është folur herë pas here, ky është projekti i parë që ka marrë parasysh përfshirjen e administratorëve socialë për të parandaluar trafikimin. “Trajnimet nuk janë asnjëherë të mjaftueshme, gjithmonë ka vend për më shumë, në mënyrë që punonjësit socialë, dhe ata të mbrojtjes së fëmijëve të rrisin kështu kapacitetet profesionale të tyre në punën me personat që mund të jenë potencial trafikimi apo dhe viktima trafikimi“, thotë ajo.

Grupi i familjeve në nevojë, ato që janë në skemën e ndihmës sociale janë pjesë e këtij programi sepse janë cilësuar dhe si më të ndjeshme jo vetëm ndaj fenomenit të trafikimit, por edhe të dhunës e problemeve sociale në përgjithësi. “Mungesa e mundësisë për punësim, për shkollim, për formim profesional. etj bën të mundur që këto familje të jenë më të ekspozuara ndaj joshjeve me të cilat ky fenomen ofrohet”, thotë ajo duke treguar se në fokus grupet e zhvilluara në kuadër të këtij programi, temat që janë trajtuar me familjarët kanë qenë nga më të ndryshmet, sepse jo të gjithë janë të njohur me problemet e trafikimit, apo se si duhet parandaluar. “Shumë prej tyre nuk kanë kontroll 100 përqind për fëmijët që mund t’i kenë larguar nga Shqipëria për shkak të kushteve ekonomike, dhe që jetojnë me të afërmit: u duhet t’i besojnë telefonatave dhe faktit që fëmijët jetojnë me të njohur e t’i mendojnë se janë më të mbrojtur. Por nuk kontrollojnë dot të miturit as në rrjetet sociale, që për prindërit janë mjaft kërcënuese sepse nuk dihet me kë komunikojnë dhe njerëz të panjohur mund t’i nxisin fëmijëve dëshira për të kërkuar jetë luksoze, pa punuar ose shkolluar duke rrezikuar kështu të jenë potencial trafikimi. Janë gjithashtu dhe prindërit që fëmijët u ikin nga shtëpia dhe këto raste janë trajtuar nga punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve”.

Shumë nga këto problematika janë folur për të parën herë në kuadër të këtij programi dhe drejtoresha Çuka Babani gjatë punës dhe takimeve ka kuptuar që edhe pse familjarët nuk janë shumë të informuar, janë të ndërgjegjshëm që të gjithë këta faktorë përbëjnë një rrezik të madh për fëmijët e tyre. Madje sipas anketimeve është vënë re se banorët e kësaj zone janë të bindur që trafikimi mund të ndodhë vetëm tek fëmijët, dhe jo tek të rrriturit. Në pyetësorë ata janë përgjigjur se nuk i kanë diskutuar këto fenomene më përpara, nuk kanë marrë informacione për të tilla raste. Po sipas anketimeve në këtë bashki rezultoi se është krijuar ideja se trafikimi është një fenomen më i rrallë sesa në bashkitë e tjera. “Kjo ndodh sepse në komunitetin tonë ekziston fryma e mbështetjes mes njëri tjetrit, dhe kjo gjë ndikon në uljen e rrezikut për trafikim”, thotë drejtoresha pa përjashtuar dhe faktin që fenomeni i trafikimit mund të jetë prezent, por nuk ka statistika. Ende nuk dihet nëse është më i rrallë se në bashkitë e tjera apo kjo frymë bashkëpunimi në të vërtetë mund të jetë frymë e mospranimit, sic ndodh edhe në rastet e dhunës. Sipas drejtoreshës – “punonjësit e sektorit të shërbimit social janë vazhdimisht në kontakt me psikologët e shkollave, punonjësit e policisë, të shëndetësisë, OJF-të etj, dhe ky funksionim i mirë i bashkërendimit të punës ndikon që rastet të trajtohen në kohë, pa shkuar në pikën që të kemi viktima potenciale apo viktima të trafikimit“. Si historia me fund të lumtur, që drejtoresha Çuka Babani na e tregoi në fillim të bisedës, ku një e mitur arriti të shpëtonte dhe familja e saj të sfidonte mentalitetin e ta merrte sërish në shtëpi. Sepse për aq kohë sa mentaliteti dhe problemet ekonomike të bëhen bashkë, programe të tilla janë të domosdoshme për të shpëtuar jetë të miturish. /ywca-albania.al/

Ky shkrim realizohet  në kuadër të programit  “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria”, mbështetetur qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.