Fëmijët, në mënyrë të vazhdueshme përballen me rëndësinë e përmbushjes së nevojave të tyre dhe zhvillimit të vetes. Kjo detyrë është sfiduese dhe fëmijët kanë nevojë për të rritur që iu besojnë, mbështesin dhe i përkrahin. Në një botë ideale, të gjithë fëmijët duhet të rrethoheshin me dashuri, përkujdesje dhe nxitje për realizimin e potencialeve. Por realiteti paraqet shpesh një tablo tjetër. Fëmijët përballen me pasiguri, neglizhencë, katastrofa natyrore dhe konflikte të dhunshëm. Në të tilla raste, mobilizimi i strukturave mbështetese duhet te jetë primar.

Përgjigjet në rastet e emergjencave dhe krizave janë jetike për të adresuar nevojat e fëmijëve dhe për të rritur reziliencën e tyre. Për këtë arsye, YWCA of Albania, me mbështetjen e UNICEF dhe USAID ngriti shërbimin e Qendrave Ditore, që frekuentohen nga fëmijët e komunitetit afgan.

Këto Qendra nuk jane thjesht mjedise edukimi. Ato janë krijuar si hapësira të sigurta, ku fëmijët shprehin veten, nevojat e tyre, orientohen për zgjidhje të problemeve dhe eksplorojnë mundësitë për tu zhvilluar. Qendrat funksionojnë bazuar tek qasja joformale e edukimit, që ka në qendër fëmijët dhe merr në konsideratë nevojat e tyre socio-emocionale. Një aspekt shumë i rëndësishëm i të gjitha proceseve është të mësuarit përmes lojës.

Për fëmijët që përjetojnë ngjarje që konsiderohen traumatike, si në rastin e fëmijëve afganë, loja është shumë e rëndësishme. Në lojë fëmijët e Qendrave tona janë bërë mjekë, pilot, mësues. Ata kanë krijuar histori të shpëtimit të të afërmve të tyre, kafshëve apo lodrave të dashura.  Në hapësirat e sigurta të Qendrave Ditore fëmijët shprehin frikën, minimizojnë ankthin dhe ndihmohen që të krijojnë një imazh më pozitiv për veten, i vendosur në pikëpyetje nga vështirësitë që janë përballur.

Pranë Qendrave Ditore, fëmijët afganë mësojnë të luajnë dhe luajnë për të jetuar edhe falë mbështetjes së stafit edukativ, që gjithë kohës janë aty për t`iu përgjigjur reflektimeve të fëmijëve dhe të empatizojnë nevojat e tyre.  Mesueset i orientojnë fëmijët të kuptojnë veten, të shprehin emocionet në mënyra të përshtatshme dhe të krijojnë marrdhënie të shëndetshme me shokët përreth tyre.

Ditë pas dite, strategjia e të mësuarit bazuar në lojë i ka ndihmuar fëmijët të kuptojnë ngjarjet e thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo simbolike, të kontrollojnë frikën apo emocionet e tjera të papërshtatshme, si dhe të përvetësojë aftësitë e nevojshme për të përballuar në mënyrë të suksesshme sfidat apo detyrat zhvillimore.

Loja i ndihmon fëmijët të ndajnë botën e tyre dhe një shprehje e fuqishme ka qenë rasti i Hasanat, një vajze 5 vjeçare që frekuenton Qendrën Ditore në Lezhë. Hasanat është një nga fëmijët që vjen me shumë dëshirë në mjediset tona. Asaj i pëlqen të luajë dhe sidomos të pikturojë. Pikturat janë një strategji shumë interesante për të krijuar puzzlat e emocioneve të fëmijëve, për të krijuar besimin dhe pët të ofruar mundësi për rritje dhe vetëzhvillim.

Piktura më interesante e Hasanat ka qenë ajo e realizuara në kuadër të temës “Çfarë dua të bëhem kur të rritem!“. Gjatë gjithë procesit, Hasant lunate me ngjyrat, i kushtonte vëmendje detajeve dhe e linte veten të lirë të përjetonte emocionet e ndryshme.

Hasant kishte vizatuar dëshirën e saj më të madhe, ëndrrën ku e shikonte veten për të ardhmen. Hasant do të ishte një doktoreshë e suksesshme, që do të kujdesej për fëmijët dhe më të vjetrit, sidomos ata që janë në luftë. Hasanat do të shëronte dhimbjet e tyre!

Nevoja për siguri e Hasanat gjendej tek vizatimi i saj. E përballur me vuajtjen në Afganistan, ajo kishte përvetësuar misionin për të qenë pranë njerëzve. Hasanat foli për gjithë frikën dhe trishtimin e ditëve kur qyteti i saj filloi të merrte një pamje të zymtë. Vizatimi e ndihmoi të ndante emocionet dhe t`i jepte kuptim qëllimit të saj.

Fëmijët kuptojmë shumë më shumë seç ne të rritur mendojmë! Na duhet të jemi aty për t`i dëgjuar përtej fjalëve!

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Qendrat e Fëmijërisë së Hershme si hapësira kreative dhe të sigurta“, zbatuar nga YWCA of Albania, me mbështetjen e UNICEF dhe në bashkëpunim me USAID.