Nga Iva Tiço/ Historitë e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri. sidomos të vajzave të vogla, do të kishin qenë shumë më të rralla nëse të gjithë të miturit do të kishin sigurinë që familja është streha më e sigurt. Por për fat të keq nuk është gjithmonë kështu! Jo të gjitha familjet janë të ndërgjegjësuara dhe jo të gjithë të miturit kanë mbështetjen e familjes për t’u mbrojtur nga trafikimi, ndaj që prej tetorit të vitit 2021 ka nisur programi i quajtur “Mbështesim komunitetin dhe shërbimet sociale për të parandaluar trafikimin” e që po zbatohet nga YWCA me mbështetjen e UNICEF. Sipas këtij programi punonjësit socialë mund të punojnë ngushtësisht me familjet në nevojë edhe për t’i informuar ata dhe për të ndihmuar që të shmangen mundësitë e trafikimit. Duke qenë se në shumë raste punonjësit socialë janë kontakti i vetëm i këtyre familjeve me pjesën tjetër të shoqërisë dhe me strukturat vendore, ata mund të punojnë nga afër në ndërgjegjësimin e familjarëve për rreziqe që ata nuk i njohin.

Në drejtorinë e Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë së Peshkopisë disa histori kanë mbetur në mendjen e të gjithëve. Si ajo e Borës që mund të kishte përfunduar viktimë e trafikimit nëse nuk do të ishte punuar që kjo të mos ndodhte. Asokohe Bora edhe pse e mitur ishte e martuar dhe po jetonte në kushte të vështira në familjen e bashkëshortit, madje edhe në dhunë. Por nuk guxonte të ikte në familjen e prindërve, sepse nga aq sa kishte folur me ta e dinte që nuk do e pranonin në rast se do të ndahej me burrin. Ia kishin bërë të qartë: nuk mund të kthehej në shtëpi sepse nuk i përballonin fjalët e njerëzve në rast se ajo do të ndahej.

Punonjësit socialë në këtë bashki tregojnë se kur ata u informuan për zhdukjen e Borës nga shtëpia e bashkëshortit, dyshuan menjëherë për trafikim.  Arritën ta gjenin vetëm pas tre ditësh, ndërkohë që Bora kishte fjetur natën e parë në një hotel, ku kishte prerë vetë dhe flokët e gjatë që të mos njihej më, ndërsa dy netët e tjera i kishte kaluar jashtë dhe kishte udhëtuar me makina të rastit. Punonjësit socialë dyshonin se duke qëndruar e vetme në hotel, pa pasur mjaftueshëm para, dikush mund të përfitinte dhe ta joshte e më pas ta trafikonte. Për fat arriti të shmangej në kohë, policia e gjeti në rrugë dhe menjëherë shërbimet sociale e çuan 24 orët e para në strehën e emergjencës, ku u trajtua me psikologë për të kuptuar situatën dhe për të vlerësuar nëse ishte dhunuar apo trafikuar. Më pas u mblodh grupi teknik së bashku me policinë, familjen dhe shkollën dhe Bora u sistemua në qendrën që ofron shërbim për të miturit që i takojnë kësaj kategorie. Ajo qëndroi në këtë qendër për shumë kohë, derisa mbushi 18 vjeç dhe ndonëse nuk mundi ta vijonte shkollën e mesme aty ku e kishte lënë ndoqi tre kurse profesionale. Ndërkohë punonjësit sociale gjatë gjithë kësaj kohe punuan me familjarët e saj derisa ata pranuan që pavarësisht mentalitetit të zonës ku jetojnë, ta mirëprisnin vajzën sërish në shtëpi. “Kjo ishte një sfidë për ne”, thonë punonjëset sociale, “që familja të pranonte dhe të kuptonte që nëse gjerat nuk shkojnë mirë në një marrëdhënie, duhet të ndahesh”.

Tashmë Bora jeton në Itali tek të afërmit dhe punon si ndihmës kuzhiniere. Ka kontaktuar disa herë me punonjëset sociale për t’i falenderuar që ishin me të jo vetëm në ditët më të vështira, por që mundësuan që ajo të ketë një strehë familjare dhe sot. Ndërsa në drejtorinë e Shërbimeve Sociale rastin e saj e mbajnë mend akoma, jo vetëm si një histori me fund të lumtur, por si një nga shembujt ku mund të mbështetesh për të punuar që rasti i Borës të mos ndodhë më në të ardhmen sepse vajzat e mitura kanë frikë nga mentaliteti i familjes. Ndaj dhe përfshirja e drejtorive të shërbimeve sociale në këtë proces është thelbësore sepse duke qenë në shumë raste kontakti i vetëm me familjet me ndihmë ekonomike ata mund t’i informojnë dhe ndërgjëgjesojnë që fëmijët e tyre të mos kthehen në potencial për trafikim duke i martuar në moshë të re dhe se duhet t’i mbështesin fëmijët që ata ta kuptojnë që streha familjare është më e sigurta. /ywca-albania.al/

Ky shkrim realizohet  në kuadër të programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria”, mbështetur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.