Mjedisi ku ne rritemi, jetojmë, zhvillohemi dhe ndërveprojmë ka një ndikim shumë të madh në mënyrën sesi ne krijojmë marrëdhënie me të tjerët, e sidomos me fëmijët. Ndonjëherë rrethanat sociale promovojnë teknika të papërshtatshme prindërimi, që transmetohen brez pas brezi e kthehen në normë.  Por, çdo histori ka pjesë ku ngjarje të caktuara ndryshojnë në mënyrë domethënëse stilin tonë të funksionimit, duke na orientuar drejt lidhjeve të shëndetshme dhe pozitive.

E tillë është historia e Norman, 45 vjeç, prindit të një prej vajzave që frekuenton Qendrën Ditore të YWCA dhe UNICEF në Shëngjin. Babai i Hanifës është padyshim një model frymëzimi për të gjithë komunitetin afgan.

I pranishëm në çdo takim, me fletoren ku shkruan strategjitë që i duken më të përshtatshme, Norman pranoi të ishte pjesë e kësaj historie. Ai do të jetë një zë i fortë, që të shërbejë për të rritur ndërgjegjësimin e të gjithë prindërve të tjerë, sesa e rëndësishme është të informohesh rreth zhvillimit të hershëm të fëmijës, si mund të rriten të shëndetshëm, e mbi të gjitha si mund të ndihmohen të tejkalojnë situatat traumatike që kanë përjetuar.

“Sapo kam dëgjuar që do hapej një Qendër Ditore jam gëzuar shumë. Për vajzën time 5 vjeçare tashmë do të kishte një vend që do e ndihmonte të hidhte tej çfarë kishte parë dhe kishte dëgjuar në Afganistan“- shprehet Norman.

Por ai rrëfen se një nga surprizat më të bukura të projektit ka qenë pikërisht hapësira e dedikuar edhe prindërve. “Unë si baba e kam pasur shumë të vështirë të krijoj lidhje me vajzën time. Kjo ndoshta për shkak të traditave dhe kulturës sonë. Por takimet e realizuara më kanë ndryshuar mënyrën sesi duhet të jem si prind. Kam kuptuar se duhet të jem më i pranishëm tek vajza ime e t`i fal dashuri.”

Për Norman rrugëtimi si prind duket se tani ka filluar. “Vajza ime është duke mësuar, e bashkë me të edhe unë. Këtë duhet të bëjë çdo baba i komunitetit afgan që ndodhet në Shqipëri. Duhet të bëhet pjesë e takimeve, ku ne ndajmë edhe eksperiencat tona…këto përvoja janë ndonjëherë të vështira, ndonjëherë edhe të dhimbshme…por e rëndësishme është që po përpiqemi të gjejmë rrugën e duhur për të ndryshuar veten dhe për të ndihmuar fëmijët.”

Norman ka ndarë se tema që e ka goditur më shumë ka qenë ndikimi i ngjarjeve stresuese tek fëmijët. “Kur po shpjegoheshin pasojat që mund ta ndjekin fëmijën përgjatë jetës për shkak të situatave të vështira që përjeton e kuptova që ishte momenti të reagoja. Reflektova se ne nuk i kuptojmë fëmijët, sepse i dëgjojmë dhe i vëzhgojmë pavëmendje. Gjithashtu kemi mungesë informacioni. Unë arrita të kuptoj më shumë falë takimeve të YWCA.”

Hanifa dhe Norman tashmë kalojnë shumë kohë së bashku. Për Hanifën veprimtaria e preferuar me babin është teksa vizatojnë pranë Qendrës Ditore, por edhe kur e ndihmon për detyrat e shtëpisë. Ndërkohë për Norman momenti më i veçantë është të lexuarit para gjumit..por edhe puthja e natës së mirë…

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projekti “Qendrat e Fëmijërisë së Hershme si hapësira kreative dhe të sigurta”, zbatuar nga YWCA of Albania, me mbështetjen e UNICEF dhe në bashkëpunim me USAID.

Shënim: Me qëllim ruajten e anonimatit, emri është ndryshuar. Ndërkohë e gjithë historia bazohet në përjetime reale.