Mbështetja e shëndetit mendor dhe kujdesi për mirëqenien psikologjike kanë qenë iniciativa domethënëse të ndërrmara nga YWCA. YWCA është përpjekur të rrisë aksesin tek shërbimi psikologjik, sidmos tek grupet vulnerable, të cilat përballen me një sërë ngjarjesh stresuese. Gjithashtu, YWCA po punon në fushën e shëndetit mendor për të rritur ndërgjegjësimin e të gjithë shoqërisë për rëndësinë e mirëqenies optimale dhe thyerjen e miteve dhe stigmatizimeve të lidhura me problemet psikologjike.

Në kuadër të iniciativës “Fjongo rozë më kujton”, përgjatë vitit 2020, ne kemi ofruar për herë të parë në Shqipëri mbështetje psikologjike online falas për gratë me kancer në gji, me qëllim reduktimin e frikës shkaktuar nga virusi dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Diagnoza e kancerit të gjirit paraqet një sfidë jo vetëm për shëndetin fizik, por shoqërohet me implikime në sjellje, gjendjen emocionale dhe marrëdhëniet sociale. Qëllimi ynë është ofrimi i shërbimeve falas që lehtësojnë përballjen me trajtimin! Ndërhyrjet psikologjike janë të efektshme në reduktimin e dhimbjeve, simptomave apo efekteve anësore të mjekimit. Trajtimi psikologjik zvogëlon dukshëm ankthin para operacionit, dhimbjen, si dhe eleminon një sërë sjelljes që paraprijnë ose shoqërojnë kimioterapinë. Teknikat psikologjike mund të përdoren për të krijuar imazh pozitiv për veten, për të rritur motivimin në aplikimin e sjelljeve të reja dhe për të lehtësuar rikthimin në jetën e përditshme, pas përfundimit të trajtimit mjekësor. Shërbimi psikologjik i ofruar nga YWCA of Albania realizohet online, kryesisht nëpëmjet platformës fjongorozë.al. Seancat realizohet 1 herë Në javë dhe janë falas. Bazuar tek vlerësimi i përfituesve, është evidentuar se shërbimi psikologjik online eshte efektiv dhe shumë ndihmues për gratë e prekura me kancer në gji.

Projekti “Mbështesim edukimin” realizuar me mbështetjen e Global Albanians Foundation, është zbatuar në shkollën “Gjergj Kastrioti”, në Lezhë, më të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019. Me një fokus tek shëndeti mendor, iniciativa u fokusua në përmbushjen e nevojave të nxënësve, nëpërmjet shpërndarjes së paketave me mjete mësimore dhe libra, si dhe promovimit të biblioterapisë, si një strategji e suksesshme ndaj ngjarjeve traumatike dhe si mënyrë për të kaluar kohë cilësore prind-femijë. YWCA ka synuar që të promovojë leximin si një teknikë që përmirëson aspektin psikologjik. Në kuadër të projektit, janë realizuar sesione mentorimi me fokus përballjen psikologjike me nxënësit, mësuesit dhe prindërit. YWCA gjithashtu ka dizenjuar broshurën “Si të përballemi me ngjarjet traumatike”, ku përshkruhet kuptimi i ngjarjeve traumatike, simptomat psikologjike, ndryshimet fizike, problemet me kognicionin, impakti i traumës psikologjike në performacën akademike, si dhe strategjitë e mbështetjes dhe teknikat e suksesshme për të përballuar ngjarjet e vështira.

 

“Fuqizimi i partneriteteve lokale gjatë pandemisë së COVID-19” është iniciativa e zbatuar me mbështetjen e UNFPA. Pandemia e COVID-19 ishte një tronditje për të gjithë ne dhe u shoqërua me pasoja në shëndetin mendor dhe mirëqenien. Fokusimi në shëndetin mendor duhet të jetë një përparësi, veçanërisht për fëmijët që janë më vulnerabël dhe kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe kujdes gjatë situatave traumatike. Gjatë kësaj iniciative u trajnuan 60 psikologë shkolle dhe punonjës socialë në 3 zona. Gjithashtu u prezantua një plan i detajuar i punës në lidhje me teknikat psikosociale në lidhje me situatën e krijuar nga Covid-19.

 

“Historia jote vlen” ka në fokus promovimin e rëndësisë së shëndetit mendor tek të rinjtë. Problemet me shëndetin mendor tek të rinjtë janë shumë prezente, sidomos kohët e fundit për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. Por pavarësisht prezencës së lartë të problemeve me shëndetin mendor, kjo çështje vazhdon të mbeten një tabu në kulturën tonë. Për shkak të stigmatizimit nga shoqëria, shumë të rinj stepen të kërkojnë ndihmë apo të përfitojnë nga shërbimet psikologjike. Frika nga paragjykimet, diskriminimet apo etiketimet janë ende shumë të pranishme, qoftë nga të rriturit, por edhe nga bashkëmoshatarët. Kjo krijon një rreth vicioz që përkeqëson problemet me shëndetin mendor. Pamundësia për të marrë ndihmë nga profesionistët, por edhe qëndrimet jondihmuese të shoqërisë shkaktojnë emocione negative dhe dekurajonë të rinjtë të gjejnë mënyra të përshtatshme për të ndihmuar veten. Në kuadër të projektit YWCA do të realizojë trajnime intensive me të rinjtë, për të tejkaluar mitet dhe barrierat në çështjet e shëndetit mendor.