YWCA of Albania ka si synim fuqizimin dhe bashkimin e grave dhe vajzave që të përfshihen vullnetarisht në çështje me rëndësi për to, duke garantuar drejtësi, paqe, barazi, shëndet, dinjitet, të drejta, liri dhe përkujdesje ndaj mjedisit. YWCA vazhdimisht angazhohet të promovojë gruan si lidere dhe të ofrojë shërbime specifike për të mbështetur gratë dhe vajzat, si strategji të rëndësishme të nxitura edhe nga emergjenca.
YWCA of Albania ka një fokus të veçantë në fuqizimin e grave dhe vajzave. Për këtë arsye, puna e vazhdueshme në këtë fushë përqëndrohet në rritjen e aftësive të edukimit, aftësive profesionale dhe ndërgjegjësimit mbi çështjet e shëndetit dhe rolin e rëndësishëm që ata kanë në krijimin e një komuniteti të udhëhequr nga vlerat e lirisë dhe barazisë. Ky synim është në qendër të një sërë inciaitivave, të tilla si:

“Fuqizimi i grave për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm në shoqëri” mbështetur nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane. Kjo iniciativë ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit rreth ekstremizmit të dhunshëm dhe fuqizimin e vajzave dhe grave nëpërmjet trajnimeve profesionale, si faktorë kyç në parandalimin dhe raportimin e fenomenit. Projekti është zbatuar në zonat e Kavajës dhe Kukësit, si zona të përzgjedhura për shkak të numrit të lartë të grave që nuk janë në marrëdhënie pune, si dhe të dhënave të vendosura në dispozicion nga bashkitë, që tregojnë për raste dhune.

“Klubi i vajzave, si promovues i lidershipit gjatë pandemisë Covid-19”, mbështetur nga World YWCA. Promovimi i lidershipit të vajzave (kryesisht nga grupet vulnerable) dhe rritja e reziliencës së tyre, me qëllim adresimin e çështjeve sensitive të afektuara nga pandemia, si: shëndeti mendor, shëndeti riprodhues, vetë-imazhi, dhuna me bazë gjinore, steriotipet gjinore apo impakti i izolimit kanë qënë objektivat kryesore të projektit. “Duaje veten pa filtra“ është një nga fushatat më të veçanta të ndërmarra nga vajzat, që sfidoi perfeksionimin dhe imazhet ireale të promovuara në mediat sociale.

Formimi profesional i vajzave dhe grave është arritur nëpërmjet ofrimit të një sërë shërbimesh risi për shoqërinë tonë. Kurset për bebisiter, etikën në komunikim, rrobaqepsi dhe kulinari kanë aftësuar vajzat dhe gratë për të qenë punonjëse aktive dhe të kualifikuara për tregun e punës. Në përfundim të kurseve profesionale të gjithë pjesëmarrësit pajisen me certifikatë. Gjithashtu, YWCA of Albania funksionon si ndërmjetësuese mes grave dhe vajzave të trajnuara dhe subjekteve që ofrojnë vende pune.

Projekti i Bibliotekës lidhet me qëllimet kryesore të YWCA për fuqizimin e grave dhe vajzave duke promovuar pasionin për leximin e librave, si një formë trajnimi për të mundësuar rritje kulturore dhe sociale, por gjithashtu edhe për të sjellë ndryshime pozitive në jetën e tyre. Aktualisht biblioteka ka 3500 libra. Projekti i Bibliotekës synon të përmirësojë shëndetin emocional të lexuesve, pasi librat karakterizohen nga prania e shumë emocioneve. Gratë mund të frymëzohen nga to dhe të transformojnë jetën e tyre pozitivisht. Gratë kanë nevojë për akses në libra që nxisin imagjinatën e tyre dhe u ngjallin interes, në mënyrë që të nxiten që të vazhdojnë të lexojnë përgjatë gjithë jetës së tyre.